Vuçiq: Nuk do ta ofendoj Kurtin, do të insistojmë për Asociacionin

  • E.K /
  • 17 November 2021 - 10:41
Vuçiq: Nuk do ta ofendoj Kurtin, do të insistojmë për Asociacionin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka komentuar mospërfshirjen e Kosovës në nismën “Ballkani i Hapur”, duke thënë se “nuk do ta ofendoj Kurtin”.

Ai pyeti nëse ky vendim i Kosovës ka të bëjë me urrejtjen ndaj tij, apo ndaj Serbisë.

“Ekonomia më e madhe dhe më e fortë është ajo e Serbisë dhe Serbia tashmë është lidere në rajon. Serbia është ende problem për disa dhe ata do të kënaqen vetëm nëse Serbia poshtërohet. Unë nuk do ta ofendoj Kurtin siç më fyen ai mua. Gjithmonë jam përpjekur të flas. Kurti thotë se për ta ka vetëm një problem – Vuçiqi, sepse do ta kishin më të lehtë t’i ndiqnin interesat e tyre me gjithë të tjerët”, tha Vuçiq për TV Happy.

Ai shtoi se ajo që thotë kryeministri i Kosovës lidhet me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

“Gjukanoviq thotë se problemi më i madh është Aleksandar Vuçiqi – është faji im sepse ai mendon se unë isha pas procesit gjyqësor, si financiarisht ashtu edhe në të gjitha mënyrat e tjera. Në atë kohë, ne u pamë edhe në Jerusalem, Bruksel, pas zgjedhjeve që bëmë. Si president i shtetit, unë duhet të flas me të gjithë, kur dua të argëtohem, zgjedh shoqërinë time. Ai mendon se është faji im që faktori serb është rritur”, tha Vuçiq.

Presidenti serb tha se do të insistojnë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kurti sot thotë se as që dëshiron të flasë për Asociacionin. Ne do të insistojmë që të respektohet gjithçka që është nënshkruar, sepse çfarë mund të shpresojmë nëse ajo që u nënshkru nuk zbatohet”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se lufta nuk i ka sjellë lumturi askujt dhe se është më mirë të mos mendohet për këtë.

(Kosova Sot Online)