Biden do ta bartë pushtetin tek nënpresidentja Harris pasi i nënshtrohet ekzaminimit mjekësor

  • A.P /
  • 19 November 2021 - 16:39
Biden do ta bartë pushtetin tek nënpresidentja Harris pasi i nënshtrohet ekzaminimit mjekësor

Presidenti Joe Biden do t’ia transferojë përkohësisht pushtetin nënpresidentes Kamala Harris të premten derisa ta kryejë ndërhyrjen mjekësore të kolonoskopisë.

Biden do ta zhvillojë tretmanin mjekësor si pjesë e ekzaminimit të tij vjetor fizik, ka njoftuar zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki përmes një deklarate, shkruan The Hill.

“Siç ishte rasti kur presidenti George W. Bush kishte të njëjtën procedurë në 2002 dhe 2007, dhe procesi i tillë përshkruhet edhe në Kushtetutë, Presidenti Biden do ta transferojë pushtetin tek zëvendëspresidentja për një periudhë të shkurtë kur ai është nën anestezion”, tha Psaki.

Shtëpia e Bardhë do të publikojë një përmbledhje të rezultateve të ekzaminit mjekësor të presidentit Biden.

Biden të shtunën mbush 79 vjet, ishte presidenti më i vjetër në histori të SHBA-së në ditën kur u betua si president.

(Kosova Sot Online)