Nis seanca gjyqësore ndaj Salih Mustafës, fillon dëgjimi i dëshmitarit të tetë

  • E.K /
  • 22 November 2021 - 10:37
Nis seanca gjyqësore ndaj Salih Mustafës, fillon dëgjimi i dëshmitarit të tetë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, sot fillon dëgjimi i dëshmitarit të tetë në rastin ku ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, akuzohet për krime lufte.

Gjykimi ndaj Salih Mustafës ka filluar më 15 shtator 2021, gjatë së cilës seancë ai është deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë nga prokuroria.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Mustafa u dërgua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, pas arrestimit të tij nga policia e EULEX-it.

Gjykata Speciale ka publikuar aktakuzën dhe sipas saj, këto janë veprat për të cilat Mustafa dyshohet dhe për të cilat mban përgjegjësi penale:

35. Sali MUSTAFA mban përgjegjësi penale individuale për:

Pika 1: NDALIM ARBITRAR në kompleksin e ndalimit në Zllash afërsisht midis 1

prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, KRIM LUFTE, i ndëshkueshëm në bazë të neneve

14(1)(c), 16(1)(a), dhe 16(1)(c) të Ligjit;

Pika 2: TRAJTIM MIZOR në kompleksin e ndalimit në Zllash afërsisht midis 1 prillit

1999 dhe 19 prillit 1999, KRIM LUFTE, i ndëshkueshëm në bazë të neneve 14(1)(c)(i),

16(1)(a), dhe16(1)(c) të Ligjit;

Pika 3: TORTURË në kompleksin e ndalimit në Zllash afërsisht midis 1 prillit 1999

dhe 19 prillit 1999, KRIM LUFTE, i ndëshkueshëm në bazë të neneve 14(1)(c)(i),

16(1)(a), dhe 16(1)(c) të Ligjit; dhe

Pika 4: VRASJE E PALIGJSHME në kompleksin e ndalimit në Zllash afërsisht midis

19 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, KRIM LUFTE, i ndëshkueshëm në bazë

të neneve 14(1)(c)(i), 16(1)(a), dhe16(1)(c) të Ligjit.

(Kosova Sot Online)