Kosova ua paguan rrymën serbëve në veri, zv/kryeministrja serbe: Gënjeshtër, i furnizojmë ne

  • E.K /
  • 24 November 2021 - 11:16
Kosova ua paguan rrymën serbëve në veri, zv/kryeministrja serbe: Gënjeshtër, i furnizojmë ne

Zëvendëskryeministrja e Serbisë dhe ministrja e Minierave dhe Energjisë, Zorana Mihajloviq e sheh si vendim brutal faktin që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, KOSTT i ka ndërprerë pagesat për rrymën e shpenzuar në katër komunat veriore.

Ajo i ka quajtur gënjeshtra deklaratat e kryetarit të Bordit të KOSTT, Jeton Mehmeti, i cili dje në Komisionin parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti tha se vetëm për vitin 2021 kanë ndarë 17.8 milionë euro për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike në veri.

“Ky është një tjetër në vargun e gënjeshtrave dhe konspiracionit të organizuar kundër popullit serb në Kosovë. Borxhi prej 17 milionë eurosh që KOSTT-i ka raportuar deri në dhjetor 2020 është gënjeshtër, sepse deri në dhjetor furnizimi i veriut ka shkuar direkt nga Serbia”, tha Mihajloviq.

Ajo tha se KOSTT është operatori i sistemit të transmisionit, dhe se dërgimi te përdoruesit fundor bëhet nga distributori.

“Pra, nuk ka asnjë dëshmi se bëhet fjalë për konsum në veri. KOSTT ka insistuar që të jetë operator i sistemit të transmisionit dhe në këtë mënyrë tregon paaftësinë e tij për ta bërë një gjë të tillë”, ka theksuar Mihajloviq në një komunikatë për media.

Mihajloviq ka deklaruar se Kosova ia ka shitur sistemin e shpërndarjes operatorit turk, ndërsa tha se qëllimi është që serbët të mbeten pa rrymë dhe në borxhe.

“Qëllimi është që serbët të mbeten pa rrymë dhe në borxhe. Të ushtrohet presion dhe edhe një herë t’u thuhet se nuk janë të lumtur të shihen në gjendjen e tyre false”, tha Mihajloviq.

Në periudhën e fundit, Qeveria dhe Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, KOSTT kanë paguar për rrymën e shpenzuar në veri të Kosovës 27.7 milionë euro.

Kështu bëri të ditur dje kryetari i Bordit të KOSTT, Jeton Mehmeti gjatë raportimit sot në Komisionin parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Kryetari i Bordit të KOSTT-it ka thënë se prej datës 16 nëntor janë ndërprerë pagesat për rrymën e shpenzuar në katër komunat veriore.

(Kosova Sot Online)