Dështimi i luftës kundër korrupsionit po e rrezikon edhe sigurinë e shtetit

Dështimi i luftës kundër korrupsionit po e rrezikon edhe sigurinë e shtetit

Hajrullah Tërnava

  • 24 November 2021 - 07:43

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Situata e qeverisjes në Kosovë, me këtë mënyrë të qeverisjes së deritashme të korruptuar është tepër shqetësues, gjë që tani u argumentua edhe në analizat e organizatave kredibile ndërkombëtare. Prandaj është dhe alarmues për reagim urgjent nga sistemi i drejtësisë, publikimi i fundit i analizës së Transparencë Internacional mbi korrupsionin në Kosovë dhe rrezikun që paraqet ky fenomen për sektorin e sigurisë së shtetit.

- Në publikimin e fundit të TI-së, indeksin e për Integritetin në sektorin e Mbrojtjes konstatohet se Kosova është vend me rrezik të lartë të korrupsionit në këtë sektor, pavarësisht strukturës së ndërtuar dhe ligjeve në fuqi, pasi ato nuk zbatohen dhe as nuk monitorohen. Në bazë të 75 treguesve të përdorur në këtë matje, TI dhe KDI thekson se Kosova ka shënuar si në vijim përparim të dobët në pesë fushat e rrezikut, duke marrë vetëm 42 pikë në total nga 100 pikët e maksimales.

Sipas TI-së dhe KDI, Kosova, duke qenë një lojtar i ri i sigurisë në rajon, ende po zhvillon aftësitë e saj mbrojtëse në një fazë fillestare dhe rreziqet e korrupsionit në këtë sektor janë tepër të të larta. Përderisa Kosova ka një kornizë të fortë legjislative për mbrojtjen, mbetet një boshllëk i dukshëm në zbatim, i cili ka rezultuar në mbikëqyrje të dobët parlamentare, transparencë të dobët, procedura të fshehta të prokurimit dhe një mjedis të pasigurt për sinjalizuesit.

Sipas këtij indeksi, dështimi për të korrigjuar këto çështje mund të bëjë që shpresat kosovare siguri dhe sundim më efikas të ligjit, dhe për një ushtri kombëtare profesionale rrezikojnë të shuhen përmes menaxhimit të keq financiar dhe korrupsionit, i cili mund të dëmtojë në mënyrë të pariparueshme ambiciet në rritje rajonale dhe ndërkombëtare të shtetit të Kosovës dhe mekanizmat e tij të sigurisë.

Prandaj kjo është një analizë, edhe një alarm serioz për institucionet që të kërkojnë më shumë seriozitet dhe qasje profesionale në organet e drejtësisë, prokurori dhe gjykata, që rastet që ndërlidhen me krim e korrupsion të ndiqen jo vetëm me prioritet por edhe me seriozitet profesional dhe të pa ndikuar nga mafio politika.

Të gjeturat kriminale nga institucionet ndërkombëtare që me fakte dhe argumente na ofrohen, dhe kërkojnë që të luftohen këto dukuri, kurse institucionet tona presin një kohë apo hezitojnë për ta luftuar krimin në përgjithësi duhet të ndërpritet si sjellje pasive dhe e pa përgjegjshme.

Ndërkombëtarët po kërkojnë që sa më parë ta luftojmë krimin, sa më ashpër që edhe Kosovës ti hapen dyert drejt BE. Kjo deri tash nuk ka ndodhur. Megjithatë shpresat që ishin në këtë Qeveri të tanishme, që populli ia dha votën mbi 50%, tani disi sikur ai besim po zbehet tani, e kjo në masë të dukshme u pa në këto zgjedhjet lokale, sepse tani LVV s’mund të lavdërohet se ka fituar shumë komuna, dhe radhitet si e pesta me komuna të fituara ndaj partive tjera.

Sikur ta luftonin krimin më shpejtë që nga dita e parë e marrjes së mandatit, pa asnjë mëshirë dhe pa e kursyer askënd të kapur në krim e korrupsion, besoj që edhe populli edhe në këto zgjedhje lokale do i shpërblente me më shumë vota dhe do i fitonin më shumë komuna. Kështu që tani kjo qeveri duhet të nxjerr mësime nga këto përvoja të këtyre zgjedhjeve, dhe qysh nga tash ta filloj luftimin e krimit më shpejtë ashtu siç po e kërkojnë edhe ndërkombëtarët, se po vazhdoj kështu me këtë neglizhencë duke bërë shtyrje hap pas hapi të luftimit të krimit, në të ardhmen do të pësoj rënie edhe më të madhe të besimit në elektorat.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".