Sa i njihni shpendët: Cila është qyqja dhe si quhet zogu tjetër

  • E.K /
  • 25 November 2021 - 11:43
Sa i njihni shpendët: Cila është qyqja dhe si quhet zogu tjetër

Shpesh kemi dëgjuar për qyqen dhe për këngën e saj. Por a e dini si duket ky shpend, i cili në popull njihet si shpend ndjellakeq?

Qyqja, emri shkencor i së cilës është Cuculus canorus, është shpend me gjatësi prej 32 deri 34 centimetrave, ndërsa gjerësia mes krahëve të hapur të saj është nga 51 deri në 57 centimetra.

Silueta e tyre në fluturim është e ngjashme me atë skifterit kthetrazi (Falco tinnunculus) ose gjeraqinës së shkurtër (Accipter nisus). Zogjtë e rritur janë në dy ngjyra: gri ose kafe në ngjyrë ndryshku. Pjesa e barkut është e bardhë me vijëzime gri.

Qyqja (Foto: Lillian King/Getty Images)

Image

Në fluturim shfaqen krahët e gjatë dhe të gjerë. Të vegjlit kanë krahë më të rrumbullakosur. Ata janë në ngjyrë kafe të errët e cila çelet në pjesën e pasme të kokës.

Në fotografinë ilustruese të këtij artikulli, qyqja shihet në anën e djathtë, ndërsa në anën e majtë është shkaba. A keni dëgjuar ndonjëherë për këtë lloj shpendi dhe a keni parë shkaba në natyrë?

Image

Shkaba (Foto: Dorling Kindersley/Getty Images)

Shkaba është shpend grabitqar përgjithësisht me ngjyrë kafe. Qafa është me push të bardhë ose e zhveshur nga puplat. Silueta në fluturim duket mjaft e madhe për shkak të fluturimit me krahë të hapur, që rrallë i mbledh. Ka bisht trekëndor të mprehtë, kokë të vogël dhe sqep të ngushtë dhe të gjatë. Te të vegjlit, trupi me ngjyrë kafe të errët bie në kontrast me ngjyrën e çelët të pjesëve poshtë krahut. 

I ndërtojnë foletë me shkarpa buzë shkëmbinjve, ose nëpër guva në shpatet e rrëpirëta të maleve, shpesh në koloni të shpërndara me 10-20 çifte. Foletë zakonisht kanë një diametër prej 60-100 cm. Femra pjell zakonisht 1 vezë në fund të shkurtit. Ngrohja zgjat 48-54 ditë. Të vegjlit arrijnë të fluturojnë pas 3-4 muajsh.

(Kosova Sot Online)