Shefi i Pfizer-it thotë se njerëzit mund të kenë nevojë për vaksinë vjetore

  • E.K /
  • 02 December 2021 - 11:19
Shefi i Pfizer-it thotë se njerëzit mund të kenë nevojë për vaksinë vjetore

Shefi i kompanisë “Pfizer”, prodhues amerikan i ilaçeve, Albert Bourla, tha thënë se, me gjasë, njerëzit do të kenë nevojë për vaksinim vjetor kundër Covid-it për shumë vjet në të ardhmen.

Ai tha se mendon që kjo është e nevojshme për ta mbajtur “nivelin shumë të lartë të mbrojtjes”, shkruan BBC.

Shefi i kompanisë tashmë të njohur në mbarë botën foli për BBC-në para zbulimit të variantit të ri të koronavirusit, Omicron, dhe para njoftimit të qeverisë britanike për nënshkrimin e kontratës për të blerë 54 milionë doza shtesë të vaksinës së kësaj kompanie dhe 60 milionë doza të kompanisë Moderna për dy vitet e ardhshme.

Bourla tha se kompania “Pfizer” tashmë ka përgatitur vaksina të përditësuara si reagim ndaj varianteve Beta dhe Delta, por se ato nuk kanë qenë të nevojshme. Kompania është duke punuar për një vaksinë të përditësuar për variantin Omicron, që mund të jetë e gatshme pas 100 ditëve.

Shefi i kompanisë amerikane tha se vaksinat kanë ndihmuar për shpëtimin e jetës së miliona njerëzve gjatë pandemisë dhe se pa to, “struktura themelore e shoqërisë sonë do të kërcënohej”.

Ndryshe, kompania “Pfizer” do të sigurojë të paktën 35 miliardë dollarë të hyra nga shitja e vaksinave për Covid-19 këtë vit dhe vlera e aksioneve të saj ka shënuar rritje. Megjithatë, Bourla pretendoi se kompania e tij i  ka kursyer botës triliona dollarë.

(Kosova Sot Online)