Shteti me 90 milionë banorë ka veç 0.06 për qind të vaksinuar plotësisht

  • E.K /
  • 03 December 2021 - 09:52
Shteti me 90 milionë banorë ka veç 0.06 për qind të vaksinuar plotësisht

Republika Demokratike e Kongos po ka vështirësi në fushatën e vaksinimit të popullsisë kundër koronavirusit, duke u radhitur në mesin e shteteve me përqindjen më të ulët të vaksinimit në botë.

Nga popullsia rreth 90-milionëshe, vetëm 0.16 për qind e ka marrë dozën e parë, ndërsa ata që janë vaksinuar plotësisht përbëjnë vetëm 0.06 për qind, raporton agjencia “AFP”.

Në fillim të marsit, 1.7 milion doza të vaksinës së AstraZeneca-s u dërguan në Kongo si pjesë e programit Covax për shtetet e varfra, por autoritetet e kishin shtyrë fillimin e vaksinimit, pasi disa shtete evropiane e kishin pezulluar përdorimin e kësaj vaksine për shkak të frikës nga disa raste të rralla por serioze të mpiksjes së gjakut.

Thashethemet i vërshuan rrjetet sociale me pretendimet se vaksinimi i bën njerëzit sterilë ose që afrikanët po përdoren si eksperiment ose edhe po vriten. Koronavirusi prezantohej si “sëmundje e njerëzve të bardhë”, e sjellë në Kongo nga udhëtarët.

Vetë presidenti i vendit, Felix Tshisekedi, kishte paraqitur dyshime për vaksinën e AstraZeneca-s. “Mendoj se kisha të drejtë që nuk u vaksinova. I kisha dyshimet e mia”, ka thënë ai, duke shtuar se parapëlqen të presë për vaksina tjera para se ta marrë vendimin për vaksinim.

“Ata thonë se vaksinat në Evropë nuk janë të njëjta si këtu”, thotë Emmanuel-i, polic 62-vjeçar.

“Sipas mendimit tim, Covid-i nuk ekziston”, thotë Fabrice, student 21-vjeçar i arkitekturës, duke shtuar se ai madje nuk njeh asnjë person që është prekur.

(Kosova Sot Online)