Aktakuzë ndaj kosovarit të përfshirë në luftërat e ISIS-it

  • E.K /
  • 03 dhjetor 2021 - 10:35
Aktakuzë ndaj kosovarit të përfshirë në luftërat e ISIS-it

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër një personi të dyshuar për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale bëhet e ditur se i pandehuri N.L. i është bashkuar organizatës terroriste “Gjabat Al-Nusra” e po ashtu ka marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë.

Në vitin 2013, përmes Aeroportit të Stambollit ai është kthyer në Kosovë.

“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri i lartcekur me paramendim, me dashje si dhe me përgatitje paraprake me qëllim iu ka bashkëngjitur organizatës terroriste “Gjabat Al –Nusra” në Siri. Ndërkaq, pasi që ka përfunduar ushtrimet taktike dhe luftarake, i pajisur me armë ka marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë, më pastaj më datë 28.04.2013, përmes Aeroportit të Stambollit është kthyer në Kosovë”, ka njoftuar Prokuroria.

N.L. bashkë me gruan e tij, F.L., dy vajzat dhe nusen e djalit E.K., kanë shkuar në Gazientep ku janë pritur nga pjesëtarë të ISIS-it.

Ai më pas është dorëzuar te Forcat Demokratike Siriane ku ka qëndruar deri më 17 korrik dhe është riatdhesuar në Kosovë.

“Gjithashtu, i pandehuri N.L., me bashkëshorten e tij F.L., dhe dy vajzat, si dhe me nusen e djalit E.K., kanë vazhduar rrugën për në qytetin Gazientep ku është pritur nga pjesëtarët e ISIS-it duke kaluar kufirin rrugëve ilegale kanë depërtuar në Siri, fillimisht në qytetin Bablimon e më pastaj në qytetin Gjerablus, ku edhe janë shoqëruar nga i biri i tij B.L., dhe një person tjetër, e që nga i njëjti është pajisur me pushkë automatike dhe municion duke marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë,  më pastaj është dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane ku ka qëndruar deri më datë 17.07.2021 dhe është riatdhesuar në Kosovë. Me këto veprime i pandehuri N.L., ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist në vazhdim” nga neni 143 paragrafi 2 lidhur me nenin 81 ë KPRK-së.”, thuhet në njoftimin e PS-së.

(Kosova Sot Online)