Thaçi: Qeveria duhet t’i marrë urgjentisht këto masa, Serbia po e shton aktivitetin

  • A.P /
  • 05 dhjetor 2021 - 16:03
Thaçi: Qeveria duhet t’i marrë urgjentisht këto masa, Serbia po e shton aktivitetin

Analisti politik, Jusuf Thaçi i ka sugjeruar disa masa të cilat thotë se Qeveria e Kosovës duhet t’i marrë urgjentisht. Kjo, sipas Thaçit duhet të ndodhë duke pasur parasysh aktivitetin e shtuar të Serbisë në SHBA kohëve të fundit.

Ai propozon që Qeveria të ndajë buxhet dhe të angazhojë kompani për të lobuar në SHBA, mobilizim të ambasadës së Kosovës në Washington e koordinim me Qeverinë e Shqipërisë.

Po ashtu, sipas Jusuf Thaçit duhet të mobilizohet edhe mërgata shqiptare në SHBA.

“Të gjitha elementet e mësipërme duhet të bashkëpunojnë dhe të jenë në sinkron të plotë për ta promovuar dhe mbrojtur interesin e Kosovës dhe të çështjes shqiptare në SHBA”, ka shkruar Thaçi, duke theksuar se “lobimi bën mrekulli në SHBA.

Postimi i plotë:

Duke pasur parasysh aktivitetin e shtuar të Serbisë në SHBA gjatë kohëve të fundit, mendoj që Qeveria e Republikës së Kosovës urgjentisht duhet të ndërmarrë disa masa, si:

1. Të ndajë buxhet dhe të angazhojë kompani të specializuara për lobim në SHBA.

2. Ta fuqizojë me resurse të nevojshme dhe ta mobilizojë në maksimum ambasadën e Kosovës në SHBA.

3. Të koordinohet maksimalisht me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për të pasur qëndrim të njëjtë kur janë në pyetje raportet dhe dialogu Kosovë-Serbi.

4. Kryeministri Kurti duhet ta shfrytëzojë reputacionin e vet të mirë për ta unifikuar dhe mobilizuar mërgatën shqiptare në SHBA. Për këtë Kryeministri Kurti duhet të udhëtojë sa më shpejt dhe sa më shpesh në SHBA, edhe nëse nuk ka takime zyrtare me funksionarë të lartë amerikanë.

Të gjitha elementet e mësipërme duhet të bashkëpunojnë dhe të jenë në sinkron të plotë për ta promovuar dhe mbrojtur interesin e Kosovës dhe të çështjes shqiptare në SHBA.

Lobimi bën mrekulli në SHBA! Nëse e injorojmë këtë fakt, mund (do) të pendohemi shumë.

(Kosova Sot Online)