Totaj e merr detyrën e kryetarit të Prizrenit: Mirënjohës për punën 4-vjeçare të Haskukës

  • E.K /
  • 06 December 2021 - 12:29
Totaj e merr detyrën e kryetarit të Prizrenit: Mirënjohës për punën 4-vjeçare të Haskukës

Kryetari i zgjedhur i Prizrenit, Shaqir Totaj, e ka marrë sot detyrën e të parit të Komunës, të cilën ia dorëzoi kryetari i deritashëm, Mytaher Haskuka. Pas një takimi të gjatë, në një konferencë të përbashkët për media, të dy u shfaqën me disponim të mirë.

Haskuka fillimisht i uroi punë të mbarë Totajt në menaxhimin e qytetit.

“Patëm një takim pak më të gjatë sepse ne e kemi pasur edhe një takim javën e kaluar lidhur me projektet të cilat i ka komuna dhe z. Totaj duhet me i pasë parasysh çështjet problematike”, tha Haskuka.

Ndërsa Totaj, i cili e falenderoi Haskukën duke e quajtur “kryetar”, tha se i është mirënjohës atij për punën që e ka bërë gjatë mandatit katërvjeçar.

“Së pari dua t’ju falenderoj për një mikpritje shumë të mirë sot që na e keni bë. Njëkohësisht dua t’ju falenderoj për punën që e keni bë katër vitet e fundit, sepse nuk është e lehtë me e udhëheq një qytet si Prizreni. Unë personalisht ju jam mirënjohës”, tha Totaj.

Ai po ashtu e falenderoi Haskukën, për, siç tha, “mundësinë që drejtorët aktualë eventualisht ta vazhdojnë punën”.

Kjo, sipas Totajt, do të siguronte një kontinuitet të punëve për të cilat tha se komuna dhe qyteti ka shumë nevojë.

(Kosova Sot Online)