Raportohet se vëllai ia preu me drapër kokën motrës shtatzënë, ai dhe nëna bënë “selfie” me kokën

  • E.K /
  • 07 December 2021 - 13:00
Raportohet se vëllai ia preu me drapër kokën motrës shtatzënë, ai dhe nëna bënë “selfie” me kokën

Një adoleshent është arrestuar në Indi nën dyshimin se ia ka hequr kokën motrës së vet shtatzënë dhe ka bërë fotografi “selfie” me kokën e hequr në atë që në Indi njihet si “vrasje për nder”, pasi motra kishte ikur nga shtëpia dhe ishte martuar me një djalë që e kishte njohur në studime.

Sanjay Mote, 17 vjeç, dyshohet se ia hoqi kokën motrës së vet 19-vjeçare, Kirti Thore, në kuzhinën e shtëpisë së saj në rajonin perëndimor indian, Maharashtra, përderisa ajo po përgatiste çaj për të dhe nënën e tyre, Shobha Mote.

Dyshohet se vëllai dhe nëna e saj më pas bënë fotografi “selfie” me kokën e hequr të familjares dhe ua treguan atë fqinjve, tha policia.

Kirti, në muajin e dytë të shtatzënisë, kishte ikur nga shtëpia në qershor dhe ishte martuar në mënyrë të fshehtë me të dashurin e saj, Avinash Thore, të cilin e kishte takuar gjatë studimeve, pasi familja nuk ishte pajtuar, sepse i dashuri ishte më i varfër se familja e saj, raporton BBC në gjuhën marathi.

Nëna dhe vëllai kishin kërkuar që ta vizitonin tashmë viktimën dhe shkuan në shtëpinë e saj të dielën, kur adoleshenti e sulmoi motrën nga prapa, shkruan Daily Mail.

Adoleshenti dhe nëna e tij janë dorëzuar në polici dhe po mbahen të arrestuar. Një zyrtar policor tha: “Djali duket se është frymëzuar nga një film Marathi. Ai ia hoqi kokën motrës në kuzhinë përderisa ajo po përgatiste çaj për të dhe nënën”.

Zyrtari policor tha se telefoni me të cilin dyshohet se u bë fotografia e tmerrshme është konfiskuar si pjesë e hetimeve, por se Sanjay dhe nëna e tij besohet se tashmë e kanë fshirë fotografinë.

“Do ta dërgojmë telefonin për analizë forenzike për ta kthyer fotografinë. Është pjesë jetike e dëshmisë”, tha zyrtari i policisë lokale, Nimit Goyal.

(Kosova Sot Online)