Borrell në konferencë me Kurtin: S’jemi këtu për t’i kryer punët tuaj, fokusohuni në dialogun me Serbinë

  • E.K /
  • 07 December 2021 - 14:44
Borrell në konferencë me Kurtin: S’jemi këtu për t’i kryer punët tuaj, fokusohuni në dialogun me Serbinë

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe delegacionin e Qeverisë së Kosovës për Stabilizim-Asociimin tha se BE-ja nuk mund t’i kryejë punët e Kosovës, ndërsa kërkoi angazhim në dialogun me Serbinë, duke përmendur detyrimin për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tash.

Borrell tha se po i masin përparimet e Kosovës, ndërsa tha se MSA-ja mbetet themeli dhe udhëzuesi i Kosovës drejt shtegut evropian.

“Të kënaqur që mbajtëm këtë takim për Stabilizim-Asociim. E shoh z.kryeministër mjaft shpesh. Jo aq shpesh sa do të doja, por flasim edhe në telefon. Gjithsesi, në këtë takim bashkë me komisionerin Varhelyi ka qenë një mundësi mjaft e mirë për t’u fokusuar tek agjenda bilaterale BE-Kosovë. Jemi këtu, po masim përparimet që janë bërë sepse Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit mbetet themeli apo qendra e këtij bashkëpunimi, është udhëzuesi juaj drejt shtegut evropian dhe krijon mundësi të shumta”, tha Borrell.

Ai theksoi se kërkojnë që Qeveria e Kosovës të fokusohet te sundimi i ligjit, te populli, ndërsa tha se duan më shumë progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Sigurisht, ne nuk jemi këtu për t’i kryer punët e juaj dhe mu për këtë e mirëpresim Z. Kurti dhe qeverinë e tij që ta vënë një fokus të theksuar te sundimi i ligjit, tek ekonomia, që të fokusohet te populli i Kosovës. Ne mbesim të vendosur që të vazhdojmë përpjekjet tona në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe duam të shohim më shumë progres në këtë drejtim”, u shpreh kryediplomati evropian.

Borrell tha se e kanë inkurajuar Kosovën që të fokusohet në dialogun me Serbinë dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në këtë drejtim.

“E kemi inkurajuar Kosovën që të vazhdojë në këtë rrugë dhe ta mbajë fokusin në negociatat midis Prishtinës dhe Beogradit”, tha Borrell.

“Kosova të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja që i bie zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, pa ndonjë angazhim selektiv. Kosova dhe Serbia kanë shumë punë për të bërë në këtë drejtim sepse status-quo-ja nuk është e dobishme për asnjërën palë”, deklaroi ai.

(Kosova Sot Online)