Giacobbe: Gjykatat s’duhet t’u shërbejnë individëve, Bideni thotë se korrupsioni është rrezik kombëtar

  • E.K /
  • 09 December 2021 - 11:34
Giacobbe: Gjykatat s’duhet t’u shërbejnë individëve, Bideni thotë se korrupsioni është rrezik kombëtar

I ngarkuari me punë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nicholas Giacobbe po merr pjesë në organizimin Transformimi i Prokurimit Publik, përmes së cilit po shënohet Dita Ndërkombëtare Kundër-Korrupsionit. Diplomati amerikan tha se ndihma për luftën kundër korrupsionit është prioritet për SHBA-në.

Giacobbe tha se presidenti Joe Biden e konsideron korrupsionin rrezik për gjithë vendin, ndërsa foli edhe për çështjen e institucioneve të drejtësisë, të cilat tha se s’duhet t’u shërbejnë individëve por interesit të përgjithshëm.

“Dua t’ju falënderoj të gjithë juve që jeni prezent. Ndihma për luftën kundër korrupsionit është prioritet për SHBA-në. Presidenti Biden thotë që korrupsioni është rrezik kombëtar për të gjithë vendin. Institucionet e gjykatave nuk duhet t’u shërbejnë individëve, por interesit shoqëror.

Në ngjarjen ku po merr pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, drejtoresha e USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi si dhe disa kryetarë komunash, Giacobbe tha se “Ju keni sakrifkuar shumë për këtë vend dhe vetëm ju mundeni ta zhvilloni shtetin tuaj”.

Ai theksoi se edhe qytetarët mund të japin një dorë në luftën kundër korruprsionit.

“Qytetarët kanë mjete të forta për ta luftuar korrupsionin, ata duhet të jenë aktiv për ta bërë një gjë të tillë. Faleminderit që jeni bashkuar këtu me ne, dhe faleminderit për vullnetin për ta luftuar korrupsionin. Urime dita kundër korrupsionit”, deklaroi Giacobbe.

(Kosova Sot Online)