Pas 13 vitesh udhëheqje të Gjilanit, Lutfi Haziri ia dorëzon komunën Alban Hysenit

  • E.K /
  • 09 December 2021 - 11:51
Pas 13 vitesh udhëheqje të Gjilanit, Lutfi Haziri ia dorëzon komunën Alban Hysenit

Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje, nga sot do të jetë zyrtarisht kryetar i Komunës së Gjilanit. Ai sot ka pranuar detyrën nga kryetari disavjeçar i Gjilanit, Lutfi Haziri. Të dy u shfaqën miqësor në një konferencë të përbashkët për media, teksa Haziri i uroi punë të mbarë dhe shëndet kryetarit të ri. Ndërkaq, Hyseni tha se Haziri është një ndër figurat me të cilën është identifikuar Gjilani dhe Anamorava.

Alban Hyseni nga sot do të jetë zyrtarisht kryetar i Komunës së Gjilanit. Ai pranoi sot nga ish-kryetari Lutfi Haziri, i cili u shpreh i lumtur që pas 13 vitesh në udhëheqje, po e dorëzon detyrën tek kryetari i ri që vie nga Lëvizja Vetëvendosje.

Haziri në një konferencë për media, se Hyseni do të jetë edhe kryetar i tij.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur edhe sot që pas një shërbimi më shumë se 13 vite në komunën e Gjilanit si kryetar në kohë të ndryshme, sot po e përfundojë mandatin e dytë të rregullt dhe po e dorëzojë tek kryetari i zgjedhur, tek kryetari i Komunës sonë që ka me qenë kryetar it ë gjithëve duke përfshirë edhe kryetari i mi. Në realizimin e detyrave i urojë kryetarit Hyseni shëndet, mbi të gjitha lus që ta përcjell suksese, një angazhim i tij personal dhe i ekipit të tij në Gjilan nënkupton ecje para, jo stagnim, ecje para në zhvillim, prosperim”, tha Haziri.

Kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, tha se tashmë ka marr rrugë tjetër politike, por që është i gatshëm që të punojë me Hysenin për interesin e qytetit dhe të komunës.

“Unë edhe ashtu kam marr tash rrugë dhe udhë tjetër politike, që do të jem në funksion të angazhimit tim, por i sigurova dhe i premtova që roli ynë ka me qenë konstruktiv, mbështetja ka me qenë e sinqertë dhe angazhimi ynë politik ka me qenë në bazë të interesit të qytetit dhe komunës”, ka thënë ndër të tjera ai.

Pasi pranoi detyrën, Alban Hyseni i VV-së, tha se është nder dhe kënaqësi për ta pranuar detyrën nga Haziri.

“Unë sapo kam pranuar detyrën e kryetarit të Gjilanit. Për mua është nder dhe kënaqësi e veçantë që pranimin dhe dorëzimin e detyrës e kam pranuar nga kryetari  aktual i komunës. Edhe ne i urojmë shëndet dhe shumë suksese në rrugëtimin e tij të vazhdueshëm në politikë”, deklaroi ai.

Kryetari i ri i Gjilan tha se Haziri është figura me të cilën është identifikuar Gjilani dhe Anamorava.

“Z.Haziri është figura me të cilën është identifikuar Gjilani dhe Anamorava me të si lider i politikanëve, ndërkaq tash në Gjilan për shkak të nevojës dhe kohës është momenti që të sjellim një frymë të re, një lloj politike të re, lidershipi të ri në Gjilan”, ka thënë më tutje Hyseni.

Lutfi Haziri i LDK-së dhe Alban Hyseni i VV-së u përballën në balotazh me 14 nëntor të këtij viti.

Fitues me 51.1% të votave doli Albin Hysni. Ndërkaq Haziri mori 48.9% të votave. 

(Kosova Sot Online)