KRU Mitrovica paralajmëron qytetarët: Paguani faturat, mos të ballafaqohemi me mungesë së ujit të pijes

  • E.K /
  • 09 December 2021 - 13:08
KRU Mitrovica paralajmëron qytetarët: Paguani faturat, mos të ballafaqohemi me mungesë së ujit të pijes

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica”, u ka bërë thirrje qytetarëve që të paguajnë borxhin për faturat e ujit. Kjo pasi  kanë borxh prej 211 mijë eurosh ndaj KESCO-s për rrymën e shfrytëzuar përmes mjeteve të inkasuara për shërbimet e ujit të pijes dhe mirëmbajtjen e rrjetit të kanalizimit. Në njoftimin për media nga kjo kompani thuhet se mospagesa e faturave të ujit po sjell vështirësi për afarizmin e suksesshëm të kompanisë.

“Mospagesa e rregullt e faturave të ujit dhe akumulimi i borxheve tuaja ndaj ujësjellësit,  në vazhdimësi po na sjell vështërsi në afarizmin tonë të suksesshëm, kur dihet fakti se KRU “Mitrovica” aktivitetin e saj të plotë e zhvillon përmes mjeteve të inkasuara për shërbimet e ujit të pijes dhe mirëmbajtjen e rrjetit të kanalizimit. Në këtë vazhdë, si pasojë e mos kryerjes së obligimeve tona ndaj KESCO, ne do të shkyçmi nga rrjeti Elektro-energjetik nëse deri më datë 13.12.2021 nuk bëjmë pagesën e faturës në vlerë prej 211.029,97€ për energjinë elektrike të shfrytëzuar për përpunimin dhe trajtimin e ujit në Impiantin e Trajtimit në Shipol”, ka shkruar KRU Mitrovica në një postim në Facebook.

Sipas tyre me shkyçjen e Impiantit për Trajtimin e Ujit të Pijes në Shipol nga rrjeti Elektro-energjetik, ujësjellësi do të mbetet pa furnizim me ujë të pijes

“Shkyçja e Impiantit për Trajtimin e Ujit të Pijes në Shipol nga rrjeti Elektro-energjetik nënkupton që popullata e furnizuar me ujë të pijes nga ujësjellësi do të mbetet pa furnizim me ujë të pijes. Prandaj, APELOJM që secili konsumatorë i ujësjellësit i cili ka borxhe të pa shlyera ndaj ujësjellësit, të bëjë pagesën sa më parë në mënyrë që mos të ballafaqohemi me një situatë të pakëndshme  të mungesës së ujit të pijes. Shpresojmë që secili nga ne të kuptojë rëndësinë e situatës në të cilën ndodhemi dhe secili nga ne të reflektoj pozitivisht dhe në fund të fundit ta kuptojmë se edhe uji (sikurse çdo produkt tjetër) ka koston e tij të përpunimit dhe trajtimit dhe se i njëjti duhet paguar rregullisht dhe në vazhdimësi. Mbesim me shpresë se thirrja jonë do të hasë në mirëkuptimin tuaj dhe se vetëm bashkërisht mund të ia dalim”, thuhet ndër të tjera në njoftim. 

(Kosova Sot Online)