Si u kapën dje 200 kg drogë në Maqedoninë e Veriut që kishin hyrë nga Kosova

  • E.K /
  • 10 December 2021 - 15:37
Si u kapën dje 200 kg drogë në Maqedoninë e Veriut që kishin hyrë nga Kosova

Autoritetet maqedonase i kanë prerë rrugë një transporti të drogës nga territori i Republikës së Kosovës që për destinacion kishte Maqedoninë e Veriut, duke kapur 200 kilogram marijuanë që shkon në vlerën e 600 mijë eurove.

Gjashtë të dyshuar janë arrestuar përfshirë kosovarë dhe maqedonas.

Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka bërë të ditur se brenda një makine “Opel Zafira” që po drejtohej nga I.P janë kapur 55 pako me marijuanë.

Ndërkohë gjatë kontrollit në bagazhin e një makine tjetër të tipit “BMW” që po e drejtonte B.R janë kapur në total 116 pako me marijuanë.

Minstria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka shtuar se është ndalur edhe një Mercedes me tabela të Strumicës që drejtohej nga O.A 36 vjeç nga Shkupi e që brenda kishte edhe J.L nga Kosova. Gjithashtu edhe një MiniCooper me tabela të Shkupit ku gjendeshin dy persona.

Policia ka bërë kërkime edhe nëpër disa shtëpi ku ka gjetur 29 pako të tjera dhe armë e municion.

Gjithashtu është gjetur edhe një BMW që ishte dërguar nga Kosova në Maqedoni pa dokumenta.

(Kosova Sot Online)