“Nëse humb zgjedhjet, kryetari shkarkohet”, delegatët brohorasin ndryshimin e statutit të PD

  • E.K /
  • 11 December 2021 - 12:58
“Nëse humb zgjedhjet, kryetari shkarkohet”, delegatët brohorasin ndryshimin e statutit të PD

Zbulohet drafti i ndryshimeve në Statut do të miratohen sot nga Kuvendi Kombëtar i PD i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Në ndryshimet statutore parashikohet shkarkimi i kryetarit në rast se humbet zgjedhjet. Kur Belind Këlliçi ka lexuar këtë nen delegatët kanë brohoritur dhe kanë duartrokitur.

Në nenin 64 parashikohen dispozita tranzitore siç është Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit. Në pikën një thuhet se jo më shumë se për 4 muaj drejtimi ekzekutiv i partisë bëhet nga ky komision që përbëhet nga 15 anëtarë që zgjidhen nga Kuvendi Kombëtar.

Po ashtu në nenin 66 thuhet se çdo akt i organeve të PD-së i ndërmarrë para hyrjes në fuqi të këtij Statuti, që bie në kundërshtim me dispozitat e tij, shfuqizohet automatikisht me hyrjen në fuqi të Statutit.

Në pikën 8 që i referohet kryetarit të partisë thuhet: “Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, Partia Demokratike nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandate përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandate, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie”.

Në nenin 11 për Referendumet thuhet se në rast se Kryesia nuk përmbush detyrimin, kërkuesit caktojnë një grup ad hoc prej 10 anëtarësh të cilët verifikojnë firmat e kërkuesve dhe caktojnë datën e referendumit, që duhet të jetë jo më herët se 30 ditë nga data e publikimit të listës së kërkuesve të referendumit.

(Kosova Sot Online)