Burgim të përjetshëm burrit që e mbyti gruan me heroinë në ushqim

  • E.K /
  • 11 December 2021 - 14:33
Burgim të përjetshëm burrit që e mbyti gruan me heroinë në ushqim

Një burrë nga Michigan-i i Shteteve të Bashkuara të premten u dënua me burgim të përjetshëm për helmimin e bashkëshortes përmes hedhjes së heroinës në ushqimin e saj, me ç’rast ia kishte shkaktuar vdekjen.

Jason Harris u shpall fajtor në nëntor për vrasje të shkallës së parë në rastin e vdekjes së zonjës Christina Ann-Thompson Harris në vitin 2014, shkruan Fox News.

Gjykatësi David Newblatt, para shqiptimit të dënimit, iu drejtua të akuzuarit me fjalët: “Ti je fajtor. Ti e bërë ketë. Ti je vrasës. Ti je gënjeshtar. Dua që ta bëjë shumë të qartë këtë. Juria i dalloi gënjeshtrat tua dhe unë i dalloj gënjeshtrat tua.”

Hetuesit thanë se Harris ishte përpjekur edhe që të angazhonte një vrasës me pagesë, por në fund e kishte zgjedhur metodën me helmim. Dyshohet se ai e helmoi gruan në natën para se ajo të vdiste.

Një hetues fillestar kishte vlerësuar se vdekja ishte shkaktuar nga mbidoza aksidentale, por hetuesit tjerë dyshuan se kjo ishte vrasje. Familja e saj gjithashtu i kishte thënë policisë se e ndjera nuk përdorte drogë.

Raportohet se gruas i ishte marrë një mostër e qumështit të gjirit para vdekjes dhe në të nuk ishte gjetur drogë, shenjë që tregonte se ajo nuk ishte përdoruese e drogës para mbidozës fatale. Shkaktari i vdekjes zyrtarisht ishte riklasifikuar si vrasje në gusht të vitit 2019.

Jason Harris kishte përfituar 120.000 dollarë nga sigurimi jetësor pas vdekjes së bashkëshortes dhe një grua tjetër ishte vendosur në shtëpinë e tij pak kohë më pas. Sipas një hetimi u zbulua gjithashtu se ai ishte duke shkëmbyer mesazhe me një grua para se bashkëshortja e tij të vdiste.

(Kosova Sot Online)