Mbretëria e Bashkuar shton interesimin për Ballkanin, i mbledh ministrat e jashtëm në Londër

  • E.K /
  • 13 December 2021 - 14:20
Mbretëria e Bashkuar shton interesimin për Ballkanin, i mbledh ministrat e jashtëm në Londër

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeth Truss, do të takohet sot me ministrat e Jashtëm të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në takimin në Londër do të marrin pjesë ministrat e Jashtëm të Kosovës, Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Malit të Zi.

Takimi i Truss me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor vjen pas kryesimit të një takimi të ministrave të Jashtëm të G7-ës në Liverpool.

Diskutimet vijnë pasi përfaqësuesi kryesor ndërkombëtar në Bosnje, diplomati gjerman Christian Schmidt, paralajmëroi se vendi përballet me kërcënimin më të rrezikshëm ekzistencial në periudhën e pasluftës dhe ka një perspektivë reale për ndarje dhe konflikt të mëtejshëm.

Kërcënimet separatiste serbe të Bosnjës kanë nxitur tensionet në rajon, me shqetësime të theksuara edhe për përfshirjen ruse.

Duke folur përpara takimeve të sotme, Truss tha se “Britania e Madhe është e përkushtuar për Ballkanin Perëndimor dhe për mbrojtjen dhe promovimin e lirisë dhe demokracisë në rajon”.

“Ndërsa bashkoj ministrat e Jashtëm të gjashtë vendeve të rajonit në Londër, si dhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian dhe SHBA, tensionet janë të larta dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë për të mbrojtur paqen e fituar me vështirësi. Rritja e lidhjeve ekonomike me rajonin është një mënyrë jetike për të krijuar vende pune dhe pasuri, për të siguruar stabilitet dhe për të mbështetur lirinë”, theksoi ajo.

Zyrtarët thanë se bisedimet e së hënës do të synojnë të riafirmojnë përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar ndaj Procesit të Berlinit, me Truss që pritet të nxisë liderët politikë në rajon të refuzojnë gjuhën e urrejtjes, të dënojnë glorifikimin e autorëve të gjenocidit dhe krimeve të luftës dhe të respektojnë verdiktet ndërkombëtare.

Mbretëria e Bashkuar po punon me partnerët ndërkombëtarë për të trajtuar kërcënimin në emër të stabilizimit, në mënyrë që të ruajë përparimin e vështirë demokratik të 26 viteve të fundit, thuhet në deklaratë.

(Kosova Sot Online)