Interesante: Punëtorin e zë gjumi në bagazhin e aeroplanit, e sheh veten në shtet tjetër

  • E.K /
  • 15 December 2021 - 10:48
Interesante: Punëtorin e zë gjumi në bagazhin e aeroplanit, e sheh veten në shtet tjetër

Një ngarkues të bagazhit në aeroportin e Mumbait në Indi e zuri gjumi në hapësirën e aeroplanit për valixhe. Ai u zbulua vetëm pas aterrimit të aeroplanit të kompanisë “Indigo Airlines” në Abu Dabi.

Incidenti ndodhi në aeroplanin e tipit Airbus A320, që ishte nisur të dielën në orën 2 e 30 të mëngjesit sipas kohës lokale, tha Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil.

Pasi i kishte ngarkuar valixhet në aeroplan, punëtori dyshohet se ra në gjumë prapa sektorit të bagazhit, shkruan Independent.

Kompania ajrore mori vesh për praninë e punëtorit në aeroplan vetëm pas nisjes së fluturimit, kur aeroplani aterroi në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Autoritetet lokale në Abu Dabi i bënë një ekzaminim mjekësor punëtorit dhe, pasi vlerësuan se ai është në gjendje stabile, e kthyen në Mumbai si pasagjer me të njëjtin aeroplan.

Një zëdhënës i kompanisë ajrore tha se kompania është e vetëdijshme për incidentin dhe se i ka informuar autoritetet e përfshira. “Çështja është nën hetim”, tha ai për agjencinë e lajmeve, PTI.

(Kosova Sot Online)