Publikohen pamje nga rrënimi “rrafsh me tokë” i kazinove në Karaçevë

  • E.K /
  • 15 December 2021 - 11:14
Publikohen pamje nga rrënimi “rrafsh me tokë” i kazinove në Karaçevë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje nga aksioni i policisë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjilanit dhe Komunën e Kamenicës, nga rrënimi i kazinove ilegale të ndërtuara në këtë zonë.

Ky aksion është quajtur i suksesshëm nga ministri Sveçla, teksa ka thënë se sot është goditur rrjeti i kazinove ilegale në Karaçevë.

“Edhe një aksion i suksesshëm i Policisë së Kosovës.

Në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe me autoritet komunale të Dardanës sot u godit rrjeti i kazinove ilegale në zonën e fshatit Karaqevë.

Pas konfiskimit të aparatave për lojërat e bixhozit, u rrënuan objektet e ndërtuara ilegale si dhe arrestimet e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal po vazhdojnë edhe në këto momente”, shkruan Sveçla në Facebook.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për  aksionin që po zhvillohet në Komunën e Kamenicës si dhe është njoftuar për arrestimin e disa personave të përfshirë në veprimtari ilegale.

Ndërsa, Kryetari i Kamenicës Kadri Rrahimaj konfirmoi për rrënimin e tri kazinove.

Aksione të Policisë së Kosovës kundër dukurive ilegale në Karaçevë ka pasur edhe në të kaluarën, por që sërish kanë nisur të lulëzojnë kazinot.

Muajin e kaluar Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër 73 personave lidhur me rastin ‘Karaçeva’, në mesin e tyre ka edhe zyrtarë policorë. 

(Kosova Sot Online)