Osmani për Grupin e Kumanovës: Ta presim përfundimin e procesit, zbardhjen e rastit

  • E.K /
  • 15 December 2021 - 12:21
Osmani për Grupin e Kumanovës: Ta presim përfundimin e procesit, zbardhjen e rastit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është pyetur sot për “Grupin e Kumanovës” në konferencën për media pas takimit me homologun maqedonas, Stevo Pendarovski.

Osmani është pyetur nga gazetarët për gatishmërinë e Kosovës që të akuzuarit e këtij rasti ta vuajnë dënimin në Kosovë.

Mirëpo Osmani tha se duhet të presim që procesi në fjalë të përfundojë së trajtuari në gjykata dhe të zbardhen të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.

“Mendoj që duhet të presim që procesi të përfundojë në plotni dhe të zbardhen të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin. Rasti ndodhet në Supreme. Ne e kemi parë që vet kryeministri Zaev ka shprehur gatishmërinë që të ketë hetim ndërkombëtar. Në këtë drejtim Republika e Kosovës do të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme dhe duhet që bashkëpunimi mes dy ministrive të Drejtësisë të shtyhet përpara”, ka thënë Osmani.

Madje ajo ka thënë se çdo gjë që i shtohet deklaratës së saj, do të përbënte një deklaratë politike që nuk i ndihmon drejtësisë.

“Çkado që themi përtej kësaj besoj se do të ishin deklarata politike që nuk i ndihmojnë drejtësisë”, ka thënë Osmani.

(Kosova Sot Online)