Mjaft me pritje, është koha për goditje të uraganit Vetting në sistemin e drejtësisë

Mjaft me pritje, është koha për goditje të uraganit Vetting në sistemin e drejtësisë

Gani Qarri

  • 15 December 2021 - 07:37

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Mbas ditën e të premtes, të javës së kaluar, është zhvilluar edhe takimi i fundit konsultativ i Ministrisë së Drejtësisë dhe Komisionit për legjislacion të Kuvendit të Kosovës, në selinë e Komisionit të Venecias ku janë harmonizuar të gjitha çështjet e hapura dhe saktësuar detajet përfundimtar të pakos për reformën e sistemit të drejtësisë dhe finalizimin e Ligjit për Vettingun në drejtësi.

-Me pëlqimin e Komisionit të Venecias për Ligjin Vetting, reforma në sistemin e drejtësi, po kalon edhe provimin e fundit, për të cilin opozita e korruptuar, gjatë gjithë qeverisjes së kaluar, ka ngritur shumë zhurmë e pluhur, pa bërë asgjë, përveç propagandës shterpe duke u qitur hi syve, qytetarëve të Kosovës.

Madje ministrja Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se në kuadër të Mbledhjes Plenare të Komisionit të Venecias, u diskutua edhe nisma e Ministrisë së Drejtësisë për të reformuar Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe ndryshimet në këtë projektligj, për Sundimin e Ligjit 2021–2026, që tashmë ka filluar të zbatohet, me ç`rast edhe vet Komisioni i Venecias ka konfirmuar domosdonë për reformim të Këshillit Prokurorial, duke u dhënë dritë të gjelbër ndryshimeve të nevojshme ligjore në sistemin e drejtësisë të kapur për mese dy dekada, nga politika e kriminalizuar.

Për aq më tepër, Komisioni i Venecias, ka ofruar edhe rekomandime specifike për plotësimin e projekt-ligjit, në mënyrë që të sigurohet përfaqësim i balancuar në sistemin e drejtësisë, e sipas ministres Haxhiu, Reforma gjithëpërfshirëse në sistemin prokurorial, do të ndodhë në harmoni me rekomandimet e Komisionit të Venecias për Ligjin Vetting dhe në përputhje të plotë me standardet vendore kushtetuese, duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.

Siç sqaron vet ministrja Haxhiu, Opinioni i Komisionit të Venecias ofron rekomandime për përzgjedhjen dhe përbërjen e re të KPK, uljen e numrit të anëtarëve të KPK, nga 13 në 7, me përbërje të balancuar, prokurorë e jo-prokurorë, si dhe këshillon në procedurat për mandatin e anëtarëve aktual, duke ofruar zgjidhje konkrete për secilin veprim. Prandaj pas akordimeve ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë, Komisionit për legjislacion të Kuvendit të Kosovës dhe Komisionit të Venecias, fillimi i vitit vijues legjislativ, më në fund pritet të startojë me Pakon e shumëpritur ligjore të Vttingut.

Dhe në mënyrë që,përfundimisht të kemi një drejtësi të pandikuar, medoemos duhet të bëhet ristrukturimi komplet i sistemit të kapur të drejtësisë, që ka qenë dhe mbetet top zotimi dhe premtimi më i fuqishëm elektoral i Qeverisë Kurti për shtet ligjor, rivendosjen e rendit dhe luftimin e vendosur të korrupsionit dhe krimit të organizuar, që ka gjetur strehë në të gjitha institucionet e vendit, duke përfshirë edhe vet drejtësinë (inekzistente) si një nga shtyllat më të dështuara në Kosovë, e kapur dhe kontrolluar për dy dekada me radhë, nga politika e inkriminuar mafioze e partive të kriminalizuara.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".