Kur pritet stabilizimi i furnizimit me ngrohje në kryeqytet, flasin nga Termokos

  • E.K /
  • 16 December 2021 - 10:29
Kur pritet stabilizimi i furnizimit me ngrohje në kryeqytet, flasin nga Termokos

Ndërmarrja Publike “Termokos” ka funksionalizuar mbrëmë kaldajat, të cilat për prodhimin e energjisë termike shfrytëzojnë mazutin si lëndë të parë djegëse, meqenëse dje iu ndërpre furnizimi me avull nga KEK-u. Por, pas kthimit të furnizimit me avull mëngjesin e sotëm, furnizimi me mazut do të ndërprehet.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar zëdhënësja e Termokos-it, Afërdita Uka.

Ajo ka deklaruar se deri në mesditë pritet stabilizim i plotë i furnizimit me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore për të gjithë konsumatorët.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit kemi filluar të marrim avullin nga KEK-u, si rrjedhojë tashmë ka filluar edhe prodhimi i energjisë termike. Kjo do të mundësojë vazhdimin e furnizmit me ngrohje të mjaftueshme, gjë që nënkupton ndëprerjen e furnizimit nëpërmes kaldajave me mazut. Sado që ne kemi sasi të mjaftueshme të mazutit në dispozicion, pas rikthimit të furnizimit me avull nga KEK-u nuk do të ketë nevojë për vazhdimin e furnizimit nëpërmes kaldajave me mazut”, ka thënë Uka.

Ajo ka treguar se problemin e vetëm që e kanë pasur me mazut, ka qenë ndotja e ajrit.

“Problemi i vetëm ka qenë ndotja, që është krjuar me fillimin e djegies së mazutit për prodhimin e energjisë termike. Deri në orët e mesditës së sotme pritet stabilizim i plotë i furnizimit me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore për të gjithë konsumatorët”, ka deklaruar Uka.

“Termokos” ka njoftuar dje se janë detyruar që ta ndërpresin furnizimin me ngrohje për të gjithë konsumatorët.

Sipas Termokos, arsye për këtë ishte pamundësia për t’u furnizuar me avull nga KEK-u.

“NP “Termokos” Sh.A., njofton opinionin e gjerë, përkatësisht gjithë konsumatorët se për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga KEK-u, jemi detyruar që të ndërpresim furnizimin me ngrohje për gjithë konsumatorët”, thuhet në njoftim.

Me ngrohje dje janë furnizuar vetëm klinikat e QKUK-së nëpërmes ngrohtores, që gjendet në hapësirat e kësaj qendre spitalore.

“Kërkojmë mirëkuptimin e konsumatorëve tanë deri në përmirësimin e situatës dhe rikthimit të furnizimit me ngrohje”, thuhet në njoftimin e Termokosit.

Por, para pak minutash, Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se është lëshuar në punë njësia B1 e Termocentralit Kosova B dhe, si rrjedhojë, Termokosi ka filluar të furnizohet me avull për ngrohje qendrore të qytetit të Prishtinës.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, KEK’u ka bërë me dije se aktualisht janë në punë të tri njësitë aktive të Kosovës.

“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se sot, me datë: 16.12.2021 në ora 06:40, pas sanimit të rrjedhjes në kaldajë njësia B1 e Termocentralit Kosova B është lëshuar në punë.

Si rrjedhojë, sot në mëngjes, në ora 08:10, Termokosi ka filluar të furnizohet me energji termike (avullin) nga Kosova B për ngrohje qendrore të qytetit të Prishtinës”, thuhet në njoftimin e KEK’ut.

(Kosova Sot Online)