Këshilli i banorëve i lagjes Lakrishtë është pritur sot nga kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama

  • A.P /
  • 16 December 2021 - 20:42
Këshilli i banorëve i lagjes Lakrishtë është pritur sot nga kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama

Këshilli i banorëve i lagjes Lakrishtë është pritur sot nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Z. Përparim Rama.

Në këtë takim banorët shprehën shqetësimin dhe argumentet e tyre lidhur me skandalin mjedisor të shkatërrimit të pakontrolluar të azbestit kancerogjen ashtu sikurse prezantuan edhe listën e shkeljeve ligjore e procedurale rreth projektit të dyshimtë 120 milionësh afaristo- banesor të Ndërmarrjes Publike Banesore, i cili ishte lejuar nga ish qeverisja komunale.

Këshilli i banorëve dorëzoi një peticion të nënshkruar nga rreth 1 mijë banorë të moshës madhore, kryesisht kryefamiljarë përmes të cilit i kërkohet kryetarit të Komunës së Prishtinës, Kuvendit Komunal, ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që mbi bazën e argumenteve t`i rishqyrtojnë të gjitha vendimet e paligjshme dhe të anulojnë tërësisht këtë projekt të dyshimtë ndaj të cilit po zhvillohen hetime nga Policia e Kosovës.

Përfaqësuesit e banorëve pasi shprehën shqetësimin e tyre për jotransparencën që e kishte shoqëruar këtë projekt dhe mungesën e debatit publik, parashtruan kërkesën përmes peticionit për krijimin e një parku në pronën publike komunale duke e argumentuar këtë kërkesë me mungesën e hapësirave të gjelbëra, shkallën e madhe të ndotjes së mjedisit dhe faktin se kjo lagje gjendet në një zonë të stërngarkuar nga ndërtimet e larta dhe automjetet.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama pasi falënderoi banorët për argumentet e prezantuara u shpreh i shqetësuar me skandalin e shkatërrimit të azbestit dhe premtoi se do të merret me trajtimin e këtij rasti dhe evitimin e pasojave të vazhdueshme me të cilat po përballen banorët si pasojë e kontaminimit. Ai premtoi se Komuna e Prishtinës, pas shqyrtimit të argumenteve të prezantuara nga ekspertët ligjorë, do t`i anuloj të gjitha vendimet e paligjshme përderisa theksoi se do të jetë partner bashkëpunues dhe mbështetës ndaj kërkesave të arsyeshme të banorëve.

Më poshtë është lista me mbi 40 fakte, argumente dhe pretendime të bazuara për shkelje ligjore e procedurale rreth këtij projekti, që i është prezantuar kryetarit të Komunës, Përparim Rama.

FAKTET, ARGUMENTET DHE PRETENDIMET E BAZUARA PËR SHKELJET LIGJORE DHE PROCEDURALE NË PROJEKTIN AFARISTO-BANESOR NË LAKRISHTË

Veprimet e kundërligjshme që i kanë paraprirë realizimit të projektit

1. Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) kontraktoi një teknik me shkollim të mesëm, i cili kundërligjshëm kreu punën e gjeodetit të licencuar për përcaktimin e kufirit mes parcelës së NPB-së dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) në Lakrishtë në kundërshtim me kompetencat që dalin nga Udhëzimi Administrativ Nr.13/2019 për Licencimin e Kompanive Gjeodete dhe Gjeodetëve.

2. NPB-ja e bëri caktimin e këtij kufiri njëanshëm pa autorizimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit në kundërshtim me ligjin për kadastër.

3. Përkundër këtyre shkeljeve, Zyra Kadastrale e Komunës së Prishtinës miratoi kundërligjshëm aktvendimin për përcaktimin e kufijve mes dy parcelave në Lakrishtë.

4. Më 14.06.2021, Kuvendi Komunal i Prishtinës, me propozim të kryetarit Shpend Ahmeti ia ka dhënë në këmbim Ndërmarrjes Publike Banesore rreth 7 ari të parcelës së lumit Prishtina (Pasurisë Shoqërore "Ujërat") pa pëlqimin e Ministrisë së Mjedisit e cila është administruese e kësaj pasurie.

5. Sipas gjendjes kadastrale të datës 08.11.2021 në terren ishin ndarë 10 parcela e miniparcela të reja me numër prej 10392-1 deri 10392-10, për të cilat Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë sqarim.

6. Nuk ka pasur trasparencë e as diskutim publik lidhur me këtë projekt.

Kufizimi i konkurrencës

7. NPB-ja kishte caktuar vetëm tri ditë prej 10-12 mars 2021 , prej orës 9:00 - 15:00 për të bërë thirrje për bashkë-investim me kompani private për realizimin e projektit afaristo- banesor.

8. Në thirrje nuk është vendosur asnjë kriter, as termat e referencës as kushtet e ndërtimit.

9. Afati për pajisje me dosje të tenderit ka qenë vetëm një ditë më 17 mars 2021, gjë që ngre dyshime se operatori ekonomik ka qenë i përzgjedhur para se të hapej thirrja.

10. NPB-ja këtë projekt për ndërtim ia ka dhënë një grupi prej tre operatorëve ekonomikë ku lideri i këtij grupi “Made Group Construction” është regjistruar si biznes në ARBK vetëm një ditë para se të bëhej shpallja e interesit, më 9 mars 2021.

11. Në lejen e lëshuar, më 16.08.2021 nga Komuna e Prishtinës për Ndërmarrjen Publike Banesore, nuk figuron fare kompania private, Made Group Construction që ka 64 përqind të hises në projekt dhe që është e definuar me kontratë para se të aplikohej për leje ndërtimi.

12. Ministria e Mjedisit ka akuzuar Ndërmarrjen Publike Banesore se përmes një akti noterial, ia ka dhënë pronën e paluajtshme publike në shfrytëzim të PËRHERSHËM kompanisë private Made Group Construction me qëllim të ndërtimit të objektit banesor afarist në Lakrishtë. Sipas ministrisë, shfrytëzim të përhershëm nuk njeh Ligji nr. 06/L-092 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, por parashihet vetëm shfrytëzim afatshkurtër dhe afatgjatë maksimumi deri në 99 vjet.

Shkeljet gjatë aplikimit dhe dhënies së lejeve në Komunë

13. Në dokumentacionin e aplikimit për leje në Komunë, Ndërmarrja Publike Banesore, përkundër se obligohet me ligj, nuk e ka deklaruar fare praninë e tjegullave të azbestit në objektet e vjetra që parashihte t`i rrënonte.

14. Komuna e Prishtinës përkatësisht drejtoria e Urbanizmit dhe ajo e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit tw Qwndrueshwm- Sekrori i Mjedisit i kanw lëshuar tri leje: lejen mjedisore, lejen e rrënimit dhe lejën e ndërtimit për NPB-në pa e përmendur fare azbestin dhe domosdoshmërinë ligjore të trajtimit të këtij materiali të rrezikshëm.

15. Në vlerësimin mjedisor që i ka paraprirë dhënies së lejes mjedisore mungon nënshkrimi dhe emri i autorit.

16. Procedura e dhënies së lejeve për këtë projekt milionësh është kryer në një kohë relativisht të shkurtër që nuk është praktikë e zakonshme.

17. Ministria e Mjedisit ka akuzuar Bordin e NPB-së se kundërligjshëm ka hartuar rregullore që pronën e NPB-së me dhënë me përqindje te një kompani private.

18. Më pas, Komisioni Komunal i aksionarëve politik ka ndryshuar statutin e ndërmarrjes për t`ia përshtatur rregullores së re.

Pasojat – Skandali mjedisor i shkatërrimit të azbestit

19. Ndërmarrja Publike Banesore nuk e bëri rrënimin e objekteve të vjetra përkundër se ishte përgjegjëse sipas lejës së lëshuar nga Komuna e Prishtinës.

20. NPB-ja angazhoi bashkinvestitorin privat “Made Group Construction” për rrënim, pa zhvilluar procedura të prokurimit dhe pa tender duke shkelur ligjin e prokurimit publik.

21. “Made Group Construction” si fitues i tenderit angazhoi konkurrentin (humbësin) “Joos & Krasniqi” si nënkontraktor për rrënim, gjë që ngrit dyshime të bazuara për kurdisje dhe marrëveshje paraprake mes kompanive konkurruese.

22. Më 15 shtator 2021 rreth ORËS 06:00 TË MËNGJESIT është shkatërruar pa kontroll me ekskavator kulmi me material kancerogjen të azbestit te ish-objekti i autoshkollës "Instruktori" në Lakrishtë.

23. Më 02 tetor 2021, në FUNDJAVË, DITË E SHTUNË, është përsëritur rrënimi, tashmë i kulmeve të azbestit në objektet e NPB-së, disa metra larg gjimnazit “Xhevdet Doda” dhe objekteve të banimit derisa punimet janë ndërprerë po atë ditë nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit pas alarmit të dytë të ngritur nga banorët.

24. Për dy ditë është ndërprerë mësimi në Gjimnazin “Xhevdet Doda” ku gravitojnë nxënësit e kryeqytetit.

25. Janë shkelur Ligji për Mbeturinat dhe Udhëzimi Administrativ nr.01/2020 për menaxhimin e mbeturinave që përmbajnë azbest.

26. Si pasojë e këtyre akteve është rrezikuar shëndeti i banorëve, punëtorëve dhe nxënesve.

27. Ekzistojnë pretendime të bazuara se veprimi është bërë me dashje, me paramendim pasi shkatërrimi i këtij materiali që konsiderohet kancerogjen, ka ndodhur dy herë, në termine kohore të pazakonshme për punime, përkundër ndërhyrjes së Policisë gjatë herës së parë.

28. Drejtori i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), Hajdar Hoxha pas skandalit kishte deklaruar se ishte në dijeni të pranisë së azbestit pasi i kishin zyrat në këtë lokacion.

29. Laboratori gjerman CRB me seli në Hardegsen konstaton se materiali i Azbestit i shkatërruar në mënyrë të pakontrolluar në Lakrishtë nga Ndërmarrja Publike Banesore i përket shkallës së 3-të (20%), të mbetjeve kancerogjene me rrezikshmëri të lartë kontaminimi.

Zhvillimet në NPB pas shpërthimit të skandalit

30. Më 14 tetor 2021 Bordi i NPB-së unanimisht mori vendim për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv, Hajdar Hoxha për neglizhencë në përcjellje dhe zbatim të projektit në Lakrishtë në përputhje me rregulloret dhe ligjet në fuqi, mosgatishmëri për bashkëpunim dhe transparencë ndaj Bordit të drejtorëve, mosllogaridhënie dhe mosinformim"

31. Vendimi për shkarkim nuk ka arritur të fuqizohej pasi anëtarët e Bordit kanë akuzuar kryeshefin, dhe vartësit e tij se kanë pamundësuar protokollimin e vendimit.

32. Bordi i Ndërmarrjes Publike Banesore ka akuzuar dy nga tre anëtarët e Komisionit të aksionarëve të zgjedhur nga kryetari dhe Kuvendi Komunal i Prishtinës, Dren Kukajn, Genc Sherifi se kanë penguar, për ta shkarkuar, kryeshefin ekzekutiv, Hajdar Hoxha.

33. Dy aksionarët e ndërmarrjes, të lidhur me ish-partinë e Shpend Ahmetit, si kundërpërgjigje kanë shkarkuar Bordin dhe i kanë zëvendësuar katër anëtarët e shkarkuar të bordit me katër persona të tjerë, pa konkurs publik.

Hetimet dhe paditë

34. Policia e Kosovës ka konfirmuar se i ka nisur hetimet për projektin e dyshimtë afaristo-banesor të Ndërmarrjes Publike Banesore në Lakrishtë.

35. Ministria e Drejtësisë përmes Avokaturës Shtetërore ka dorëzuar padi ndaj Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë, për anulim të aktit noterial, kërkesë për masë të sigurisë dhe kallëzim penal ndaj zyrtarëve përgjegjës të NPB-së që pretendohet se kanë dëmtuar interesin publik duke e dhënë pronën komunale në shfrytëzim të përhershëm të një operatori të caktuar ekonomik.

Vendimet e shfuqizuara – pezulluara

36. Më 07.10.2021 Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit ka lëshuar vendimin për pezullimin e punimeve për shkak të skandalit mjedisor të shkaktuar me shkatërrimin e azbestit.

37. Më 15 tetor 2021 Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Prishtinës, me urdhër të Drejtorisë së Inspeksionit e ka shfuqizuar vendimin për rrënimin e objekteve të vjetra që ia kishte lëshuar Ndërmarrjes Publike Banesore ku fajësohet NPB-në për mos deklarim të azbestit në dokumentacionin aplikues për leje.

38. Më 27 tetor 2021, Agjencia Kadastrale e Kosovës i ka kërkuar me shkresë Komunës rishqyrtimin e lëndës për caktimin e kufirit mes parcelave të NPB-së e AKP-së në Lakrishtë si dhe marrjen e masave ndaj teknikut gjeodet që i ka tejkaluar kompetencat.

39. Komuna ka pezulluar lëndën e caktimit të mexhes mes parcelave të NPB-së e AKP-së në Lakrishtë

40. Komisioni për licencim i ka shqiptuar teknikut gjeodet, vërejtje me shkrim si paramasë për revokim të licensës për shkak të tejkalimit të kompetencave.

41. Agjencia Kosovare e Privatizimit inicioi procedurë disiplinore ndaj zyrtarit të saj Korab Tmava pasi pa pasur autorizim kishte marr pjesë në realizimin e matjeve në terren me teknikun gjeodet të kontraktuar nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe e ka nënshkruar procesverbalin nga terreni.

Vendimet që kanë mbetur në fuqi

-Leja mjedisore

-Leja e ndërtimit

-Vendimi i Kuvendit Komunal për bartjen e parcelës së lumit te NPB-ja

(Kosova Sot Online)