Shitet me çmim rekord piktura e punuar nga derri

  • E.K /
  • 17 December 2021 - 12:44
Shitet me çmim rekord piktura e punuar nga derri

Një derr që pikturon, i quajtur Pigcasso, i cili ishte shpëtuar pak kohë para therjes, ka shitur një pikturë abstrakte për një çmim marramendës prej 20.000 funtesh.

Piktura e quajtur “Wild and Free”, u ble të hënën, disa orë pasi doli në shitje. Ajo u ble nga një gjerman i quajtur Peter Esser, shkruan Daily Mail.

Shitja e pikturës së bërë nga derri e theu rekordin e mëparshëm për një vepër arti të një kafshe, të vendosur nga shimpanze Congo më 2005, kur çmimi ishte 14.000 funte.

Derrit iu nevojitën disa javë për ta bërë pikturën me çmim rekord. Kjo kafshë ka bërë qindra piktura në pesë vitet e fundit, pasi ishte shpëtuar nga therja nga pronarja Joanne Lefson.

Pas përfundimit të pikturës, vepra u publikua në rrjete sociale dhe u shit brenda 72 orëve. “Pati interesim të konsiderueshëm”, tha pronarja e derrit.

(Kosova Sot Online)