Si erdhi deri te tensionimi i situatës mes Pecit dhe Musliut? Debati i plotë i tyre

  • E.K /
  • 21 December 2021 - 17:07
Si erdhi deri te tensionimi i situatës mes Pecit dhe Musliut? Debati i plotë i tyre

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, gjatë raportimit para komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim është përplasur me deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, rreth granteve për fermerët që ministria që drejton Peci i ka anuluar për herë të dytë.

Ishte deputetja e PDK-së ajo që i tha ministrit Peci se vendimi për anulimin e këtyre granateve dhe raporti që ai prezantonte sot janë kontradiktore dhe paragjykuese.

“Kjo çka shkruan në raport është total paragjykuese dhe nëse ka ndodhë anulimi për këtë kjo është e papranueshme”, tha Musliu.

Ndërkaq, ministri iu kundërpërgjigj Musliut se anulimi është bërë për shkak të gjeturave të auditorit. Ai e akuzoi Musliun se po flet të pavërteta teksa thotë se ministri po tenton të fsheh diçka rreth këtij procesi.

“E para nuk është kontradiktore, e dyta raportet nuk i shkruaj unë, por i lexoj dhe e treta çështja është se këtu janë përdorur dy argumente që janë komplementare njëra me tjetrën. Njëra prej arsyeve pse e kemi anulu këtë shpallje të dytë kanë qenë të gjeturat e auditorit që vlerësimi i granateve me këtë sistem nuk është parimor. E dyta krejt kjo tentativa me me pasyqyru kinse mu që po tentoj me mshefë kishe diçka që po tentoj me mshef diçka rreth këtij vendimi është e pavërtetë”, tha Peci.

Tutje Peci ka thënë se i gjithë vendimi për anulimin e shpalljes së dytë të granteve është bërë si masë preventive për shkak të paralajmërimeve të auditorit, shkruan Paparaci.

Mirëpo, deputetja Musliu nuk e përfundoi debatin këtu, ajo gjatë mbledhjes së këtij komisioni vazhdoi të insistonte se Ministria e Bujqësisë ka paragjykuar procesin e ndarjes së granteve dhe njëkohësisht fermerët që kanë aplikuar.

“Ata fermerë që i kanë plotësuar kriteret në bazë të thirrjes publike, ju keni bo të padrejtë. Sepse është formë paragjykuese, ju po paragjykoni se këtu do të ndodhin parregullsi pa e ditur se kush do të jetë në komision”, tha Musliu.

Sipas Musliut sikur ky vendim të merrej për shkak të prioriteteve më të mëdha të qeverisë sesa ndarja e fondeve, atëherë ajo do ta përshëndesë vendimin, por sipas saj ky vendim s’ka qenë i tillë, raporton Paparaci.

“Përshëndete të parën edhe të dytën”, i tha Peci Musliut, teksa përmendi arsyetimet e njëjta si dhe arrestimet e bëra nga organet e rendit në këtë ministri.

“Unë nuk e përshëndes këtë, se është prapë paragjykim”, iu kundërpërgjigj Musliu.

“Friendly, Suggest Gane”, shtoi Peci.

Deputetja e PDK-së i tha ministrit Peci se iu kanë hyrë në hak fermerëve dhe se ministria e tij po kryen shkelje mbi bazën e paragjykimit.

Faton Peci tha se i takon atij si ministër ta bëjë vlerësimin rreth anulimit të këtyre granteve. Si dhe shto se vetë kryeministri e ka vendosur këtë vendim në mesin e vendimeve të mira në 100 ditëshin e punës.

“Më takon mua më e bo vlerësimin. Unë them se janë dy arsye, nevoja për me e bo shpalljen dhe paralajmërimi i raportit të auditorit në të cilin thuhet se vlerësimi i granteve paraqet rrezikshmëri. Unë kam edhe informacione tjera të cilat nuk mund t’i diskutoj në komision për shkak se jam bashkëpunues me rendin”, tha Faton Peci.

Madje ministri i tha Musliut se e ka ofenduar në Kuvend dhe se i ka reaguar pas ofendimit të dytë që kjo e fundit i ka bërë atij.

|Po më ke ofenduar në Kuvend. Unë nuk të kam ofenduar, por kam reaguar pas dy ofendimeve që i ke bërë. E para në seancë e dyta në paraqitjen publike që e ke pas para kuvendit në të cilën ti më ke quajtur pinokioi. Kështu që ai është ofendim i rëndë që e e ke bo ti e unë s’të kam ofenduar askund”, tha ministri.

Deklaratës se ministri Faton Peci është “pinokio”, deputetja Musliu iu qëndroi pas edhe sot.

“Ti je nxon me presh në dorë. Çka janë këto, ministër? Ti as pinokio nuk je, se pinokio në fund e thotë të vërtetën, ti po vazhdon me gënjy. Fatkeqësisht dhe kjo është turpi”, tha Musliu.

I menjëhershme ka qenë kundërpërgjigja e ministrit Peci i cili i tha Musliut se “kjo është kultura jote, kjo është edukata që e ki ti, unë nuk muna me ta dhonë pjesën e edukatës”.

“Mos u ban rrugaq”, dëgjohet Musliu duke iu përgjigjur Pecit.

Pjesë e këtij debati u bë edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli dhe kryesuesja e këtij komisioni e cila i kërkoi nga deputetja Musliu që ta lejonte ministrin të përgjigjej dhe të mos ofendonte këtë të fundit.

Pas kësaj kërkese ofendimet e Musliut kundrejt Pecit vazhduan, ku deputetja e quante prap “rrugaq ministrin”.

“Kjo tema e granteve unë e di që në adresa të caktume ngjallë edhe nervozë për besë”, tha ai.

“Cilat adresa?”, pyeti Musliu.

“Njëra prej tyre je ti. Me gjuhën qysh i prezanton temat ti përfaqëson krimin. Qajo pjesa e krimit në Ministrisë së Bujqësisë ka një mbështetje politike dhe kjo po i bije që je ti ajo zyrtare që je në prapavijë”, ka thënë Peci.

“Ti je rrugaç bre, mbylle rrugaç, idiot, kështu e meriton”, ka thënë Musliu teksa ka lëshuar mbledhjen.

“Ti je shumë e kulturume, po shihet ajo pjesa e kulturës” ia ka kthyer ministri Peci.

Kryetarja e Komisionit, Fitore Pacolli ka kërkuar pauzë pas përplasjes së deputetes Musliu me ministrin Peci.

Pas eskalimit të situatës, ministri Peci ia ka përmendur deputetit të PDK-së, Isak Shabani, “gjuajtjen me plumba sikurse në të kaluarën”.

“E di unë sesi janë udhëzu fermerët për subvencione. Por, sa të jam unë ministër nuk do të ketë korrupsion aty. Ndaç gjuani me ujë, ndaç gjuani me plumba – qysh keni gju në të kaluarën – nuk ka bir nane që e ndal Faton Pecin me e luftu krimin dhe korrupsionin”, ka thënë Peci.

(Kosova Sot Online)