Nxënësit e gjimnazit në Malishevë protestojnë pasi dyshohet se zëvendësdrejtori e sulmoi sek*ualisht shoqen e tyre

  • E.K /
  • 22 December 2021 - 10:56
Nxënësit e gjimnazit në Malishevë protestojnë pasi dyshohet se zëvendësdrejtori e sulmoi sek*ualisht shoqen e tyre

Nxënësit e gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë kanë protestuar mëngjesin e sotëm, pas dyshimeve për sulm seksual nga zëvendësdrejtori i kësaj shkolle, ndaj një nxënëseje.

Oborri dhe hapësirat brenda gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, mëngjesin e sotëm janë mbushur me pankarta kundër ngacmimeve seksuale.

Kjo protestë e nxënësve vjen pasi dyshohet se zëvendësdrejtori i gjimnazit e ka sulmuar seksualisht një nxënëse të këtij gjimnazi.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj, të martën ka deklaruar se rasti dyshohet se ka ndodhur më 16 dhjetor, në ambientet e gjimnazit, ndërkaq është raportuar në polici më 20 dhjetor, nga babai i nxënëses.

“Në stacionin policor Malishevë me datë 20.12.2021 rreth orës 21:30 është paraqitur ankuesi dhe ka raportuar një rast të Sulmit Seksual që kishte ndodhur ndaj vajzës së tij te mitur. Sipas ankuesit rasti kishte ndodhur me date 16.12.2021 në ambientet e Gjimnazit “Hamdi Berisha” ne Malisheve, ku vajza e tij vijon mësimet si nxënëse e kësaj shkolle”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj.

Gjurkaj ka deklaruar se ngacmimi dyshohet të ketë ndodhur në njërën prej banjave të shkollës, ku viktima ishte brenda në tualet. 

“Ngacmimi seksual dyshohet te jete bere nga ana e personitI cili ne kete shkolle mban pozitën e zevendes drejtorit. Ngjarja sipas ankuesit kishte ndodhur ne njeren prej banjove te kesaj shkolle kur viktima ishte brenda ne tualet dhe aty kishte hyrë edhe i dyshuari dhe e kishte ngacmuar seksualisht viktimën”, ka deklaruar ai.

Pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Lidhur me këtë rast është intervistuar viktima dhe i dyshuari si dhe disa dëshmitarë. Hetimet janë ne fazën e grumbullimit te provave te tjera dhe për zhvillime te me tejme ju njoftojmë me raport shtese. Me vendim te prokurorit i dyshuari ndalet ne mbajtje për 48 orë”, ka thënë Xhurkaj.

Ndërkaq prokuroria Themelore e Gjakovës të martën ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.

“ Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit A.K, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Sulm seksual”. Sipas kërkesës, rasti ka ndodhur më 16 dhjetor 2021, në gjimnazin “Hamdi Berisha”, në Malishevë, ndërsa Prokurori i Shtetit ndaj të pandehurit ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 20 dhjetor 2021”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

(Kosova Sot Online)