Selmanaj: Danimarka heziton për liberalizimin e vizave, s’duhet të importojmë kriminelë

  • A.P /
  • 22 December 2021 - 15:59
Selmanaj: Danimarka heziton për liberalizimin e vizave, s’duhet të importojmë kriminelë

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, tha në Komisionin për Legjislacion se Danimarka është një ndër shtetet që është hezituese për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila raportoi në këtë komision, e kundërshtoi deklaratën e Selmanajt, duke e quajtur keqinformim.

Në replikë, Selmanaj tha se Kosova nuk është në situatë të importojë kriminelë nga vendet tjera.

“Kosova nuk është në situatë që të importojë kriminelë. Sado që shitet si ide që po e ndihmojmë Danimarkën”, tha Selmanaj. “Mos harroni që shteti danez është hezituese në liberalizimin e vizave. Ne me këtë qëndrim i kemi zënë në befasi edhe vendet më demokratike”, shtoi ai.

Selmanaj tha se disa janë befasuar se si Kosova do t’i pranojë këta të burgosur.

“Ju keni thanë që keni me luftu krimin dhe korrupsionin, mos po i zëmë ato vende me të burgosurit danezë”, pyeti deputeti i LDK-së.


(Kosova Sot Online)