KFOR-i i gatshëm për të ndihmuar Kosovën me fushata informuese për vaksinimin

  • A.P /
  • 23 December 2021 - 15:55
KFOR-i i gatshëm për të ndihmuar Kosovën me fushata informuese për vaksinimin

Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi priti sot në takim Komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ferenc Kajari.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se ministri Latifi ka falënderuar komandantin e KFOR-it për kontributin e këtij misioni në Kosovë dhe asistencën specifike në sektorin e shëndetësisë.

Ndërsa, ai ka thënë se midis shërbimeve shëndetësore të Kosovës dhe komponentit mjekësore të KFOR-it mund të zhvillohen projekte të ndryshme që fuqizojnë shërbimet shëndetësore për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke përfituar nga eksperiencat e ndryshme profesionale.

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Kajari tha se KFOR-i mbetet i përkushtuar për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë në Kosovë, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin e mirë që ky mision ka me të gjitha autoritetet në Kosovë në funksion të paqes dhe sigurisë për të gjithë.

Sipas MSH’së, ai e vlerësoi pozitivisht ecurinë e procesit të vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë dhe shprehu gatishmërinë e misionit për të ndihmuar autoritetet në Kosovë në fushata informuese dhe ndërgjegjësimi për qytetarët për rëndësinë e vaksinimit kundër COVID-19 dhe ruajtjen e shëndetit publik në përgjithësi.

Nga MSH u tha se Ministri Latifi dhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Kajari, u shprehen optimist se bashkëpunimi midis MSh dhe misionit paqeruajtës të KFOR-it do të fuqizohet edhe më tej në të ardhmen.

(Kosova Sot Online)