Gashi: Kur e ka pa kryeministri këtë video, ka thënë “s’jam n’opozitë se e kisha sosë qet qeveri”

  • E.K /
  • 24 December 2021 - 11:46
Gashi: Kur e ka pa kryeministri këtë video, ka thënë “s’jam n’opozitë se e kisha sosë qet qeveri”

Sipas Shkelzen Gashit, po të ishte Kurti opozitë e qeverisë që ai e drejton, do të kishte shumë hapësirë për të kundërshtuar qeverisjen që po e bën vetë.

Shkelzen Gashi, që ka qenë këshilltari i Kurtit gjatë qeverisjes së tij të parë, e ka komentuar një video, të cilën e ka publikuar kryeministri për 9 mujorin e Qeverisë “Kurti II”.

Gashi hamendëson se kur e ka parë kryeministri Kurti videon e “arritjeve” të tij, me siguri se ka menduar se si do të kishte fort hapësirë për ta kritikuar, po të ishte opozitë.

“sa e pashë këtë ‘9 muaj qeveri në një video të përmbledhur”, thashë vetmevete, garant kur e ka pa kryeministri këtë video, ka thanë “s’jom n’opozitë se e kisha sosë qet qeveri’”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Kryeministri Kurti, që njihet për opozitarizëm të fortë me lloj-lloj mjetësh, po shënon 9 muaj në pushtet, me qeverisjen e tij të dytë, pasi të parën, në vitin 2020, ia rrëzoi partnerja e tij, LDK-ja.

Për t’i shënuar këta muaj, kryeministri ka mbledhur disa prej arritjeve që ai i konsideron se janë bërë në këtë cikël kohor.

Në mes të krizës energjetike, që ka nisur zinxhirin e krizave të tjera, Kurti ka përmendur si arritje të Qeverisë së tij sigurimin e vaksinave anti-Covid, mbështetjen për lehonat dhe shtesat për fëmijë të porsalindur. Përmenden edhe aksionet e Policisë të kryera nën dyshimet për krim dhe kontrabandë, si dhe reciprociteti me ‘stickers’, me Serbinë dhe disa të tjera.

Nuk përmendet ndonjë dështim e as ato për të cilat kritikohet kjo qeverisje, si gjendja me energjinë elektrike apo shtrenjtimi i çmimeve të produkteve bazike. 

(Kosova Sot Online)