Opozita nuk e mbështet vendimin e Qeverisë për masat kufizuese në energji

  • E.K /
  • 28 December 2021 - 12:16
Opozita nuk e mbështet vendimin e Qeverisë për masat kufizuese në energji

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka thënë se propozimi i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ku ai është kryetar,  është që masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës për energji dhe furnizim me energji të miratohen nga Kuvendi.

Siç tha se Komisioni e ka shqyrtuar vendimin dhe se propozojnë se këto masa duhet të votohen edhe në Kuvendin e Kosovës.

“Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në mbledhjen e mbajtur me datë 24.12.2021, pasi shqyrtoi vendimin e Qeverisë për masat e energjisë për furnizimin me energji vendosi që Kuvendit t’ia paraqesë këtë propozim: të miratohet vendimi i Qeverisë për masat e emergjencës në furnizimin me energji”, ka thënë Shala.

Miratimin e këtij vendimi në Kuvend e ka kërkuar edhe Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Ajo tha se VV-ja e mbështet miratimin e këtij vendimi në Kuvend, teksa bëri thirrje që edhe grupet e tjera parlamentare ta votojnë miratimin e këtij vendimi.

“Si GP e mbështesim këtë vendim të Qeverisë dhe i thërrasim të gjitha Grupet Parlamentare që ta mbështesin dhe ta miratojnë këtë vendim”, ka thënë Kusari-Lila.

Në ndërkohë, Ferat Shala në emër të PDK-së deklaroi se këto masa janë të vonuara nga Qeveria,.

Sipas tij të njëjtat është dashur që të merren në vjeshtë.

“Sot kemi një vendim të Qeverisë shumë të vonuar i cili do të duhej të ishte planifikuar që në vjeshtën e hershme dhe që do të na pasqyronte bashkë me vendimin e shkurtë jo kështu si ka ardh edhe një arsyetim pak më të thuktë për sfidat dhe rrethanat që kanë ardhur që ne sot të pajtoheshim apo jo për një krizë të vendit. Ne në seancën e kaluar kemi kërkuar që vendi ta shpallë gjendjen e emergjencës energjetike, por mbi bazën e analizave, fakteve dhe veprimeve që janë marrë apo nuk janë marrë paraprakisht”, ka thënë Shala.

Ai tha se PDK-ja në këtë formë nuk e mbështet vendimin e Qeverisë për masat e marra për kufizimin me energji.

“Kërkojë mirëkuptim por ky vendim që ka ardhur sot duhet të rikthehet dhe të plotësohet dhe të vendosen masa të tjera shtesë që do të japin përgjegjësi dhe llogari për këtë periudhë sa jeni ju., Edhe për pjesën tjetër pse jo jemi të hapur që ta diskutojmë çdo kontratë”, ka thënë ai.

Miratimi i këtyre masave nuk është përkrahur as nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se duhet të bëhet një zgjidhje urgjente për krizën energjetike.

“Ne sot jemi në dhjetor, katër ditë para përfunduar viti e tek sot gjashtë muaj pasi ka nisur kriza, e tre muaj pasi tjerët shpallën emergjencën, ne nisëm të dëgjojmë masat e Qeverisë, me gjashtë muaj vonesë. Është menaxhim krize, s’mund të kesh rezultat të mirë. Qeveria jonë populiste siç është verës kur tjerët merreshin me problemet e energjisë, kjo Qeveri shpërndante parulla se e ka zhvillimin më të madh në Evropë sa që po arrin edhe Kroacinë. Qeveri jeni për të bërë zgjidhje e Kosova të mos mbetet e vetme në terr”, tha ai.

E Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se kjo parti është e pakënaqur me veprimet e Qeverisë në menaxhimin e situatës me krizën energjetike.

“Kërkojmë nga kryeministri nga Qeveria e Kosovës që të jenë shumë më serioz në këtë temë, të marrë përgjegjësin për gjendjen  në vend dhe të marrë përgjegjësi për ta stabilizuar gjendjen me energji në vend.

(Kosova Sot Online)