“Mos na leni si huta”, përplasen Besnik Tahiri e Glauk Konjufca

  • E.K /
  • 29 December 2021 - 12:20
“Mos na leni si huta”, përplasen Besnik Tahiri e Glauk Konjufca

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri u ankua për fillimin me vonesë të seancës së sotme të Kuvendit. Duke iu drejtuar kryeparlamentarit Glauk Konjufca, Tahiri tha se ai duhet t’i njoftojë deputetët për vonesë, që, siç tha, “mos të rrijmë në sallë sikur huta”.

Tahiri tha se për shkak të miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, deputetët e AAK-së ende nuk e kanë shfrytëzuar pushimin.

“I nderuar kryetar, po ju drejtohem juve. Sot e keni ftu një seancë në ora 11:00 dhe në ora 11:00 kemi qenë vetëm tre apo katër deputetë në sallë. Ora është 11 e 43 minuta dhe ne po fillojmë me 43 minuta vonesë. Ne, Grupi ynë parlamentar, për shkak të marrëveshjeve ndërkombëtare nuk kemi shku në pushim. Ju lutem thirreni seancën, ejani me kohë, dhe në qoftë se nuk vijnë me kohë, lajmëronani, mos të rrijmë ne në sallë këtu sikur huta, por të shkojmë edhe ne në zyrat tona”, tha Tahiri.

Në replikë, Konjufca tha se për të, seanca do të kishte filluar që në orën 08:00. Ai tha se në një rast e kishte pritur Besnik Tahirin në sallën e Kuvendit për gjysmë ore.

“Sa për kryetarin e Kuvendit seanca ka mundur të fillonte edhe në orën 08:00, por problemi është – dhe kjo e ka përcjellë Kuvendin gjithmonë – që, – unë e kam provuar këtu Besnik edhe ty me të pritë gjysmë ore, gjysmë ore t’kam pritë. Po po, ta gjej seancën kur t’kam pritë. Unë jam mësu me ardhë qëtu në Kuvend edhe kur kanë qenë vetëm pesë deputetë, por problemi është që pritjet e mia për juve nuk mu kanë dukur efektive”, tha ai.

Konjufca tha se kjo çështje “ka mbetë si në të kaluarën”, pasi kryeparlamentari shkon në sallën e Kuvendit pasi të bëhet kuorumi.

“Unë vij, nuk është problem. Edhe 10 minuta para 11ve vij edhe ju pres, por kjo – dy herë e kam provu – nuk ka pasur efekt. Ka mbetë si në të kaluarën që kryetari me ardhë kur bëhet kuorumi”, tha Konjufca.

“Tash jeni 86 deputetë shyqyr, mund ta fillojmë seancën”, shtoi kryeparlamentari.

(Kosova Sot Online)