Vendi ku u krye grabitja që përfundoi me vrasje në Mitrovicë

  • E.K /
  • 29 December 2021 - 12:55
Vendi ku u krye grabitja që përfundoi me vrasje në Mitrovicë

Një grabitje e armatosur në një market në Mitrovicë, ka përfunduar me vrasje mbrëmë. I vrarë ka mbetur një 68-vjeçar, me inicialet A.M.

Ekipi i medias po qëndron në vendin e ngjarjes, prej ku raporton se marketi ku ka ndodhur vrasja është i mbyllur.

Para derës së marketit, dikush ka vendosur edhe një trëndafil.

Sipas banorëve, viktima ka punuar aty qe shumë vite. Fqinjët e tij janë shprehur të shokuar për rastin.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në orën 14:00.

Për këtë rast, Policia ka njoftuar se tashmë janë arrestuar dy të dyshuar. Të dyshuar janë një 30-vjeçar me inicialet M.H dhe një 19-vjeçar me inicialet G.R.

Atyre u është caktuar masa e ndalimit policor pas intervistimit.

“Mbi bazën e veprimeve hetimore dhe provave të siguruara, dyshimet janë ngritur se dy të dyshuarit të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë hyrë në dyqanin e viktimës ku gjatë ballafaqimit me viktimën, njëri prej të dyshuarve ka shtënë dhe ka plagosur viktimën me pasojë vdekjeprurëse.

Pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të rastit dy të dyshuarve M. H.,30 vjeçar dhe G. R., 19 vjeçar, u është caktuar masa e ndalimit policor. Në bazë të ekzaminimit të provave materiale, dy të dyshuarit e lartcekur dyshohen se kanë kryer edhe grabitjen e raportuar me datën 27 dhjetor 2021, ku cak i grabitjes ishte një barnatore”, ka njoftuar Policia.

(Kosova Sot Online)