Pamje: Kina nxjerr në paradë shkelësit e rregullave të pandemisë për t’i turpëruar

  • E.K /
  • 29 December 2021 - 13:03
Pamje: Kina nxjerr në paradë shkelësit e rregullave të pandemisë për t’i turpëruar

Policia në jug të Kinës ka nxjerrë në paradë katër persona të akuzuar për shkelje të rregullave kundër koronavirusit, duke nxitur kritika ndaj qasjes së qeverisë kineze.

Katër persona të maskuar e me rroba mbrojtëse, me fotografi të mëdha të portreteve dhe me emrat e tyre në pjesën e përparme të trupit, u nxorën në paradë të martën para një grumbulli të madh njerëzisht në qytetin Jingxi të rajonit Guangxi.

Në pamje shihet se si secili i dyshuar mbahet nga dy policë, gjithashtu të maskuar e me rroba mbrojtëse. Disa policë tjerë shihen të armatosur, shkruan Daily Mail.

Turpërimi publik ishte pjesë e masave disiplinore që i solli qeveria lokale në gusht për t’i ndëshkuar ata që do t’i shkelnin rregullat.

Kina e kishte ndaluar turpërimin e tillë publik të kriminelëve të dyshuar në vitin 2010 pas fushatës së gjatë të aktivistëve për të drejtat e njeriut, por praktika është rishfaqur në kohën kur qeveritë rajonale po mundohen ta zbatojnë politikën për zero raste me Covid-19.

(Kosova Sot Online)