Tre pacientë në kujdes intensiv kanë vdekur nga një zjarr që u shkaktua në spital nga qiriri

  • E.K /
  • 30 December 2021 - 09:48
Tre pacientë në kujdes intensiv kanë vdekur nga një zjarr që u shkaktua në spital nga qiriri

Tre pacientë në kujdes intensiv në Ukrainë kanë vdekur nga një zjarr që u shkaktua në spital nga qiriri që ishte ndezur si përkujtim për një të vdekur nga koronavirusi.

Katër persona tjerë janë duke marrë trajtim për djegie të rënda pas zjarrit që shpërtheu të martën në Kosiv, në pjesën perëndimore të Ukrainës.

Sipas zyrtarëve, zjarri nisi kur një qiri u ndez nga një pjesëtar i stafit afër pesë rezervuarëve të oksigjenit, të cilat u përfshinë menjëherë nga flaka, shkruan BBC.

Shërbimet emergjente lokale thanë se “injorimi i ligjeve themelore të fizikës dhe shpërfillja e rregullave të sigurisë kanë çuar në humbje të pariparueshme”.

Zyra e prokurorit lokal është duke e hetuar incidentin. Sipas një deklarate, personat që vdiqën ishin dy gra e një burrë, ndërsa tre mjekë kanë pësuar djegie.

Zjarret në spitale kanë qenë mjaft të shpeshta në shtete të ndryshme gjatë pandemisë. Në shtator, të paktën 14 persona vdiqën në Tetovë, pasi zjarri përfshiu një spital të improvizuar për pacientë me koronavirus. Zyrtarët kishin thënë se dyshojnë që cilindrat e oksigjenit kanë shpërthyer.

Në dhjetorin e vitit të kaluar, dhjetë persona vdiqën nga një zjarr në Gaziantep të Turqisë, ndërsa në nëntor të vitit të kaluar, dhjetë të tjerë vdiqën nga një zjarr në Peatra Niamt të Rumanisë.

(Kosova Sot Online)