MSH dhe IKSHPK kërkojnë nga qytetarët që të marrin dozën përforcuese të vaksinës

  • E.K /
  • 30 December 2021 - 10:58
MSH dhe IKSHPK kërkojnë nga qytetarët që të marrin dozën përforcuese të vaksinës

Besfort Kryeziu, doktor i Mjekësisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike përmes një video-mesazhi ka kërkuar nga qytetarët që të marrin dozën përforcuese të vaksinës dhe të respektojnë të gjitha masat Anti-COVID në mënyrë që të mbrohen nga ky virus.

Ai ka deklaruar se varianti Omicron është një variant i ri i virusit SARS-CoV-2, i cili po përhapet me të madhe në rajonin e Evropës dhe më gjerë.

Sipas tij, ky variant karakterizohet me infektueshmëri të lartë dhe përhapje masive.

“Situata epidemiologjike në Republikën e Kosovës për momentin është e qetë, mirëpo bazuar në situatën epidemiologjike të vendeve në rajon dhe më gjerë ne si Institut Kombëtar i Shëndetësisë Publike sugjerojmë respektimin e të gjitha masave të marra nga institucionet relevante. Ne gjithashtu, rekomandojmë fuqishëm vazhdimin e kampanjës së vaksinimit dhe vaksinimin sa më masiv të popullatës, përfshirë edhe dozën e tretë si dhe dozën përforcuese. Vaksinimi është metoda më e mirë për t’i bërë ballë kësaj pandemie. Rekomandojmë që të vaksinoheni dhe sugjerojmë që të respektohen të gjitha masat e marra nga institucionet relevante”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, edhe nga Ministria e Shëndetësisë kanë kërkuar marrjen e dozës përforcuese të vaksinës për t’u mbrojtur nga varianti Omicron.

“Varianti Omicron (i virusit SARS-COV 2)  është përhapur me të madhe në Evropë. Raste të këtij varianti janë detektuar edhe në Kosovë. Vaksinimi masiv i popullatës përfshirë edhe marrjen e dozës përforcuese, është mënyra më e mirë për t’i bërë ballë pandemisë COVID-19”, kanë shkruar nga MSH.

(Kosova Sot Online)