Ganimete Musliu ngre padi ndaj Pecit: Ai do të japë llogari në gjyq

  • E.K /
  • 30 December 2021 - 11:42
Ganimete Musliu ngre padi ndaj Pecit: Ai do të japë llogari në gjyq

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka ngritur padi ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Peci pas përplasjes që kanë pasur në komision. Musliu tha se gjuajtja me ujë ndaj ministrit ka ardhur shkaku i akuzave të ministrit Peci ndaj saj.

Musliu tha se ministri Peci do të jap llogari në gjyq.

“Unë sapo ngrita padi ndaj ministrit Peci në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ministri Peci do të përballet me mua në Gjyq për shpifjet e tij të ulta me qëllim të dëmtimit të reputacionit tim publik si dhe dëmtimit të imazhit tim si deputete e Kuvendit të Kosovës. Fakti se unë do ta ushtroj detyrën time si deputete e përgjegjshme me qëllim të mbrojtjes së interesave të qytetarëve në këtë rast të bujqve dhe fermerëve të cilët z. Peci i ka gënjyer dhe mashtruar atij i ka penguar adresimi i çështjes që une e kam ngritur dhe në mungesë të argumenteve ai degradon me akuza të ulëta ndaj meje si deputete dhe ndaj PDK-së. Sidoqoftë për shpifjet e tij siç e keni parë në komision ai do të jap llogari në gjyq dhe unë nuk do të lejoj në asnjë formë që ai t’i shpëtojë dënimit të merituar”, tha Musliu.

Tutje para gazetarëve deputetja e PDK-së tha se nëse ka drejtësi gjykata do të vendosë në favor të saj.

“Ka përfunduar koha kur politikanët e papërgjegjshëm si ky ministër për ta mbuluar paaftësinë e tij hudhin sulm ndaj deputetëve të cilët u përgjigjen sipas Kushtetutës së vendit, unë nuk do të lejoj që asnjë ministër të ma ndalojë të adresojë çështjet që kanë të bëjnë me qytetarët e Kosovës. Nëse do të ketë drejtësi konsideroj se Gjykata do të vendosë në favorin tim sepse gjuajtja me ujë vjen pas akuzave të randa të ministrit dhe ka qenë formë proteste ndaj të pavërtetave dhe fyerjeve që ka bërë z. Peci ndaj meje”, tha ajo.

Musliu përmendi edhe çështjen e anulimit të granteve për bujqit duke thënë se ministri Peci ka ndërhyrë në uebfaqen e ministrisë duke ndryshuar datën e shpalljes për anulimin e thirrjes.

“Unë e kam ngritë vazhdimisht në seancë plenare çështjen në fjalë, ministri Peci i ka gënjyer bujqit rreth 1 mijë bujq që kanë apliku për të fituar grante në Ministri dhe ai ka bërë anulimin e thirrjes gjë që kur bëhet anulimi duhet edhe shpallja të bëhet publike, z. Peci e ka fshehur vendimin duke e ditë se do të përballet me padi prej bujqëve dhe fermerëve.  Kur e kam adresuar çështjen, vendimi është marrë në korrik, z. Peci e ka shpallë në faqen zyrtare në ministrisë më 7 dhjetor. Pas reagimeve të mia dhe demaskimit që i kam bërë ai bën edhe një shkelje tjetër duke ndërhyrë në sistemin e uebfaqen duke ndryshu datën e publikimit për çka unë posedoj fakte dhe argumente”, tha ajo.

(Kosova Sot Online)