Në Rugovë zbulohet një lloj i ri insekti

  • E.K /
  • 30 December 2021 - 14:32
Në Rugovë zbulohet një lloj i ri insekti

Profesori Halil Ibrahimi, përmes një njoftimi insiston se në Bjeshkët e Rugovës, është zbuluar një lloj i ri i insektit.

Sipas njoftimit, zbulimi është bërë në përroskat e fshatit Bogë nga profesori Ibrahimi në bashkëpunim me një ekip profesorësh nga Departamenti i Biologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe Universiteti i Zagrebit.

“Lloji është gjetur për herë të para para disa vitesh por është kompletuar sivjet për shkak të analizave morfologjike dhe molekulare që e kanë vërtetuar praninë e tij si një lloj të ri për shkencën, të panjohur më herët në analet entomologjike. Lloji është quajtur Rhyacophila siparantum, duke asocuar me emërtimin e lashtë të qytetit të Pejës. Prania e këtij lloji tregon për pasurinë e madhe të biodiversitetit në Kosovë, i cili fatkeqësisht është duke u rrezikuar ndjeshëm gjatë dekadave të fundit”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, më herët profesori Halil Ibrahimi dhe ekipi i njëjtë i hulumtuesve kanë zbuluar edhe disa lloje të reja për shkencën nga Kosova dhe rajoni.

“I fundit prej tyre ishte lloji Potamophylax coronavirus, që u bë temë e agjencive botërore para disa muajsh”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)