OAK i kërkon Qeverisë që të hartojë plan për mbrojtjen e bizneseve për shkak të krizës energjetike

  • E.K /
  • 30 December 2021 - 15:34
OAK i kërkon Qeverisë që të hartojë plan për mbrojtjen e bizneseve për shkak të krizës energjetike

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi gjatë shpalosjes së raportit vjetor, tha se 2021-ën po e përmbyllin si një vit të vështirë pandemik gjatë të cilit operimi i sektorit privat ishte shumë i rënduar.

Krasniqi me këtë rast ka përmendur edhe krizën e energjetike e cila ka vështirësuar edhe më tepër funksionimin e rregullt të bizneseve, duke marrë parasysh se reduktimet më së shumti po dëmtojnë bizneset dhe punëtorët.

Ai tha se për t’iu dalë në ndihmë bizneseve, është e nevojshme që Qeveria sa më parë ta hartojë një plan për mbrojtjen e bizneseve, që të ketë sa më pak reduktime të rrymës në zonat ku ka biznese, ndërsa në rast të ngritjes së çmimeve, OAK kërkon që të bëhet subvencionimi i diferencës së çmimit.

“Vitin 2021 po e përmbyllim si një vit të vështirë pandemik gjatë së cilit operimi i sektorit privat ishte shumë i rënduar, duke shtuar këtu edhe problemet e fundit të shfaqura nga kriza energjetike, të cilat janë duke vështirësuar dhe rënduar shumë biznesin, marrë parasysh edhe reduktimet e çrregullta, mos njoftimet lidhur me reduktimet, edhe mos përkrahja e shtetit gjatë kësaj kohe për humbjet që po i shkaktohen bizneseve gjatë këtyre reduktimeve”, deklaroi Krasniqi.

Kreu i OAK-ut në konferencën për media ka thënë se është shqetësuese mos reagimi i mjaftueshëm i institucioneve gjatë pandemisë.

“Për ne është shumë shqetësuese mos reagimi i mjaftueshëm i institucioneve gjatë kësaj kohe pandemie, sepse ka qenë një situatë jo e mirë në përgjithësi. Besojmë që në vitin e ardhshëm, duke marrë parasysh që këtë vit kemi pasur dy palë zgjedhje, institucionet, partitë politike dhe kuvendi kanë qenë të ngarkuar, prandaj, viti i ardhshëm të jetë më shumë i fokusuar në probleme ekonomike dhe të eliminohen qindra barriera, të cilat i ka biznesi dhe institucionet tona i kanë në dispozicion nga ana jonë”, tha Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se Ligji për Gjykatën Komerciale duhet të aprovohet sa më shpejt në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës.

“Puna e Kuvendit të Kosovës në përgjithësi ka qenë e pakënaqshme dhe lë shumë për të dëshiruar dhe shpresojmë që në vitin 2022 do të kemi një kuvend më aktiv për shkak se fatkeqësisht asnjë ligj që nuk ka arritur të kalojë në dy leximet, Ligji për investime strategjike, i cili ka skaduar në fund të vitit 2019, nuk është trajtuar akoma në vitin 2020. Po ashtu, Ligji mbi gjykatën komerciale shpresojmë që do të kalojë sa më shpejt. Gjithashtu, Ligji i pylltarisë, ndërsa ligjet e tjera si Ligji për tregti të brendshme, Ligji për bujqësi, Ligji për pushimin e Lehonisë, punës dhe Ligji për investime strategjike po shpresojmë që do të kenë një trajtim më të shpejt gjatë vitit të ardhshëm”, tha Krasniqi.

Kreu i OAK-ut tha se shqetësuese është mos funksionimi i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime si këshill më i lartë në nivel të vendit, në të cilin do të duhej të trajtoheshin të gjitha shqetësimet e bizneseve.

Krasniqi përmendi një sërë kërkesash që kanë bërë në BQK për lehtësimin e punës së bizneseve, si heqja e kamatës 5 deri 8 për qind për kthimin e parave metalike në kartëmonedha, detyrim i vendosur nga BQK.

Duke uruar për një vit më të suksesshëm më 2022, Krasniqi ka kërkuar nga kryeministri, ministrat dhe Kuvendi i Kosovës që gjatë vitit të ardhshëm të jenë më aktivë në koordinimin e politikave së bashku me biznesin.

Koordinatorja e OAK Qëndresa Ibrahimi theksoi se kjo Odë gjatë këtij viti sikurse edhe gjatë viteve të tjera, ishte mjaft aktive në çështjet të cilat e preokupojnë çdo ditë sektorin privat.

(Kosova Sot Online)