Kamberi reagon ndaj policëve serb që bënë thirrje për krime ndaj pakicave

  • E.K /
  • 03 January 2022 - 20:07
Kamberi reagon ndaj policëve serb që bënë thirrje për krime ndaj pakicave

Gjatë festës së Vitit të Ri, anëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë kanë kënduar këngë ultra-nacionaliste duke i bërë lavde gjenocidit të Srebrenicës, shkatërrimit të Vukovarit dhe duke bërë thirrje për krime të reja ndaj minoriteteve pakicë të cilat jetojnë në Serbi.

Për këtë ka reaguar dje deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili ka thënë se këngët e policëve në Sanxhak janë fytyra e vërtetë e Serbisë së Vulinit dhe Vuçiqit.

Kamberi në një lidhje direkte në emisionin Frontal ka treguar se përmes këngëve të dërguara nga policët serbë, thuhej se Sienica do ta ketë fatin e Srebrenicës, ndërsa Pazari do ta ketë fatin e Vukovarit.

Sipas tij, qytetarët boshnjakë e ata shqiptarë të të dy qyteteve kërcënohen se do të kenë fatin e njëjtë me atë të boshnjakëve të Srebrenicës dhe Vukovarit.

“Përmbajtja është Sienica duhet ta presë fatin e Srebrenicës ndërkohë Pazari do të presë fatin e Vukovarit, që do të thotë se të dy qytetet kërcënohen, kur flas për të dy qytetetet flas për pjesëtarët e përkatësisë boshnjake që janë në Pazar, edhe shqiptarët, kërcënohen se do të kenë fatin e njëjtë me atë që e kanë pasur boshnjakët në Srebrenicë apo qytetarët tjerë kroatë e tjerë në Vukovar”, ka deklaruar ai.

Kamberi ka thënë se këtë rast do ta alarmojmë dhe do t’ia bëjnë me dije Bashkimit Evropian e mekanizmave tjerë ndërkombëtarë, në mënyrë që sipas tij, ato ta dinë se cila është e vërteta reale e pushtetit aktual në Serbi.

“Ccfarëdo matje e opinionit në Serbi tregon se distanca ma e madhe etnike është me shqiptarët dhe nëse kemi kësi këngë, kësi incidente nga njerëzit e policisë karshi boshnjakëve, që sadokudo dy partitë e tyre janë pjesë e qeverisjes aktuale në Beograd, paramendoni çfarë disponimi antishqiptar ka në Serbi, apo në një pjesë të Serbisë, veçanërisht në elitën politike në Serbi e cila po udhëheq këtë shtet. Në këtë rast është edhe më drastike për shkak se është vepër e policëve, e njerëzve të cilët sipas kushtetutës së Republikës së Serbisë paguhen për të ofruar dhe garantuar siguri për të gjithë qytetarët”, ka shtuar ai.

Sipas tij, kjo është vazhdimësi e mohimit të gjenocidit të Srebrenicës dhe krimeve të luftës në Bosnjë e Kosovë.

“Mjerisht kjo është vazhdimësi e një politike shtetërore e mohimit të gjenocidit të Srebrenicës, mohimit të krimeve të luftës sikurse në Bosnje sikurse në Kosovë, politikë zyrtare e cila po zbatohet në Serbi e drejtuar nga presidenti Aleksandër Vuçiq dhe është pjesë e politikës apo programit të ri politik të cilin në opinion e ka shpallur ministri i Policisë, Aleksandër Vulin për botën serbe. Kjo është realiteti i Serbisë së dy Aleksandrave sipas të cilëve në Serbi nuk ka vend për të tjerët, ajo është vend ekskluziv vetëm për serbët dhe paralajmërim i këngëve dhe skenarëve të ngjashëm çfarë ishin në vitet e 90’ta që i paraprinë luftërave të përgjakshme në Ballkan”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot Online)