Nga sot, asnjë i huaj nuk hyn pa dy vaksina në Kosovë

  • E.K /
  • 03 January 2022 - 21:51
Nga sot, asnjë i huaj nuk hyn pa dy vaksina në Kosovë

Kushdo që dëshiron të hyjë në Kosovë nga dita e sotme duhet të jetë i vaksinuar me dy doza të vaksinës anti-Covid.

Kjo sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës në kuadër të masave që janë miratuar në fillim të dhjetorit.

“Nga data 3 janar 2022 për të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme: Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19; Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë, jo më e vjetër se katër (4) javë, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë dhe certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë).”, thuhet në vendimin e qeverisë së Kosovës.

E autoritetet vendore kanë nisur zbatimin e këtyre masave. Televizioni publik ka raportuar se sot shumë shtetasve të Shqipërisë nuk iu lejua hyrja në Kosovë

Qytetarët të cilët deshën të hynin në Kosovë nga Shqipëria nëpërmjet pikës kufitare të Vërmicës por nuk ishin vaksinuar me dy dozat anti-covid u kthyen prapa. Shumë nga ta thanë se nuk e dinin për masat e reja. Shumica prej tyre ishin shtetas të Shqipërisë që ishin nisur drejt vendeve turistike në Kosovë, në Brevovicë, Bogë e Brod.

Në Vërmicë nuk u lejua asnjë qytetarë të futet në territorin kosovar pa certifikatën me dozat e plota të vaksinës anti-Covid.

Qytetarët nga Shqipëria që donin të hynin në Kosovë dhe nuk e posedonin një dokument të tillë pavarësisht se kishin marrë njërën dozë vaksinë dhe testet PCR u kthyen mbrapsht.

Kujtojmë që në Kosovë aktualisht janë 740 raste aktive me Covid-19. Vetëm në 24 orët e fundit 38 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19. Gjatë 24 orëve të fundit, nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.674.839 doza të vaksinës.

Deri më sot 783.180 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Sot janë shëruar 7 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 158.067.

(Kosova Sot Online)