Shtyhet seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit për zgjedhjen e kryesuesit

  • E.K /
  • 05 January 2022 - 09:48
Shtyhet seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit për zgjedhjen e kryesuesit

Është shtyrë seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit ku pritej që të zgjidhej kryesuesi.

Sot Komuna e Gjilanit ka njoftuar për shtyrjen e kësaj seance, por nuk ka treguar se kur do të jetë dita tjetër që do të mbahet.

“Njoftim: Shtyhet seanca e Kuvendit Komunal. Seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit, e paraparë për sot, shtyhet për një ditë tjetër, e cila do të vendoset ndërkohë”, njofton Komuna.

Ndërsa për sot ishte lajmëruar seanca ku asamblistët e Kuvendit Komunal të Gjilanit do të votonin kryesuesin.

Mbledhja ishte paralajmëruar të fillojë në orën 10:00.

Deri më tani Vetëvendosje si partia fituese e zgjedhjeve në krye me Alban Hysenin nuk ka arritur që të bëjnë koalicion, ani pse ishin në bisedime me Partinë Demokratike të Kosovës.

Më të dalë fitues i zgjedhjeve, Hyseni kishte deklaruar se nuk e përjashton mundësinë e koalicionit me PDK-në në këtë komunë. Ai pati deklaruar se e përjashton koalicionin me LDK-në meqë me të ka qenë në garë të drejtpërdrejtë.

Kujtojmë që më 9 dhjetor, Hyseni u betua si kryetar i Komunës së Gjilanit, ndërkaq detyrën e mori nga Lutfi Haziri i cili kishte qeverisur me këtë komunë për tetë vite.

Komuna e Gjilanit kishte shkuar në raundin e dytë zgjedhjeve që u mbajtën me 14 nëntor.

Në raundin e dytë, Hyseni nga Vetëvendosje mori besimin e 21 mijë e 800 gjilanasve apo 51,10 përqind të votave. Kurse kundërkandidati i tij, Haziri mori 20 mijë e 865 vota apo 48,90 përqind.

Hyseni e Haziri ishin në garë të ngushtë edhe në raundin e parë të zgjedhjeve që u mbajtën më 17 tetor. Hyseni kishte siguruar 19 mijë e 57 vota, ndërsa Haziri 18 mijë e 546.

(Kosova Sot Online)