Lajmi i fundit: Në Francë zbulohet një variant i ri i koronavirusit

  • E.K /
  • 05 January 2022 - 10:21
Lajmi i fundit: Në Francë zbulohet një variant i ri i koronavirusit

Një variant i ri i koronavirusit është zbuluar në Francë. Ende nuk dihet se sa është i rrezikshëm dhe nga ka ardhur.

Varianti u zbulua në fillim të dhjetorit te një udhëtar që u kthye nga Kameruni në Francë, njoftoi spitali “IHU  Mediterrannee” në Marsej. I kthyeri nga Kameruni raportohet se infektoi 12 persona në jug të Francës, shkruan Deutsche Welle.

Varianti i ri, i quajtur B.1.640.2, ka 46 mutacione në “kombinim atipi”, sipas studimit që ende nuk është rishikuar nga shkencëtarët tjerë.

Sipas studimit, dy mutacione tashmë të njohura, N501Y dhe E484K, gjenden edhe në variantin e ri. Për shembull, mutacioni N501Y është zbuluar shumë herët te varianti Alfa. Ky mutacion e bën virusin që të kapet më fort në qelizat njerëzore dhe kështu, të shpërndahet më lehtë në trup.

Për shkak të mungesës së të dhënave dhe numrit të vogël të rasteve, nuk mund të thuhet nëse varianti i ri ose mutacionet e tij përbëjnë virus më ngjitës se varianti fillestar.

Nuk dihet asgjë as për prejardhjen e variantit. Fakti se varianti i ri është zbuluar te një person i kthyer nga Kameruni nuk do të thotë se ai është paraqitur së pari në shtetin afrikan.

Sidoqoftë, shkalla e ulët e vaksinimit përbën mjedis të përshtatshëm për shfaqjen e mutacioneve të reja të koronavirusit. Në Kamerun, vetëm 2.4 për qind e popullsisë është vaksinuar plotësisht, sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”.

(Kosova Sot Online)