Zhbllokohet Prishtina, sot konstituohen institucionet e Komunës

  • E.K /
  • 05 January 2022 - 10:38
Zhbllokohet Prishtina, sot konstituohen institucionet e Komunës

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës janë pajtuar për koalicionin në Komunën e Prishtinës.

Media mëson se koalicioni është arritur por kanë mbetur edhe disa çështje për t’u definuar.

Sot në Komunën e Prishtinës pritet të zgjidhet kryesuesi i Kuvendit Komunal.

Lidhja Demokratike e Kosovës, në krye me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, si partia fituese nuk i ka numrat për ta zgjedhur e vetme kryesuesin e Kuvendit Komunal.

Për këtë, LDK’së i duhen koalicionet, meqë në zgjedhjet për asamble komunale ka arritur që të sigurojë 14 vende. Për ta zgjedhur kryesuesin, LDK-së i duhet të paktën 12 vota nga subjektet tjera politike.

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se asambleistët e saj do të marrin pjesë në këtë seancë gjatë procesit të votimit, por se “nuk do të ju bëjë shërbime subjekteve tjera.”

Nga kjo parti kanë bërë me dije se s’do të propozojnë kandidat për kryesues.

 “Edhe pse subjekti më i madh dhe me të drejtën e propozimit të kandidatit për kryesues, LVV nuk do ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe ja kalon radhën subjekteve që bashkërisht i fituan zgjedhjet në Kryeqytet me 14 nëntor.  Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do të jetë bllokuese e proceseve, por as nuk do të ju bëjë shërbime subjekteve tjera.

E, megjithatë ne do të qëndrojmë në sallë gjatë procesit të votimit. Mbetet përgjegjësi e kryetarit të zgjedhur dhe subjektit të tij që t’i arrijnë numrat e nevojshëm për ta përfunduar procesin e konstituimit, edhe ashtu të vonuar, të Kuvendit Komunal”, thuhet në njoftimin e VV’së.

Kujtojmë që më 7 dhjetor, Përparim Rama mori detyrën e kryetarit të Prishtinës, nga ish-kryetari i Shpend Ahmeti.

Sipas Ligjit për Qeverisje Lokale, kryesuesi duhet të zgjidhet brenda 30 ditëve pas betimit të anëtarëve të Kuvendit Komunal.

(Kosova Sot Online)