Seanca për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Gjilanit mbahet më 7 janar

  • E.K /
  • 05 January 2022 - 12:07
Seanca për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Gjilanit mbahet më 7 janar

Zyra për Informim e Komunës së Gjilanit ka njoftuar se seanca e Kuvendit Komunal ku do të zgjidhet kryesuesi do të mbahet me 7 janar.

E njëjta seancë ishte paraparë të mbahet sot por është shtyrë.

“Njoftim: Seanca e Kuvendit Komunal shtyhet për 7 janar. Seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit, e paraparë për sot, shtyhet për datën 7 janar 2022 (e premte).Seanca mbahet sipas rendit të njëjtë të punës dhe fillon në ora 10:00”, thuhet në njoftim.

Deri më tani Vetëvendosje si partia fituese e zgjedhjeve në krye me Alban Hysenin nuk ka arritur që të bëjnë koalicion, ani pse ishin në bisedime me Partinë Demokratike të Kosovës.

Më të dalë fitues i zgjedhjeve, Hyseni kishte deklaruar se nuk e përjashton mundësinë e koalicionit me PDK-në në këtë komunë. Ai pati deklaruar se e përjashton koalicionin me LDK-në meqë me të ka qenë në garë të drejtpërdrejtë.

Kujtojmë që më 9 dhjetor, Hyseni u betua si kryetar i Komunës së Gjilanit, ndërkaq detyrën e mori nga Lutfi Haziri i cili kishte qeverisur me këtë komunë për tetë vite.

Komuna e Gjilanit kishte shkuar në raundin e dytë zgjedhjeve që u mbajtën me 14 nëntor.

Në raundin e dytë, Hyseni nga Vetëvendosje mori besimin e 21 mijë e 800 gjilanasve apo 51,10 përqind të votave. Kurse kundërkandidati i tij, Haziri mori 20 mijë e 865 vota apo 48,90 përqind.

Hyseni e Haziri ishin në garë të ngushtë edhe në raundin e parë të zgjedhjeve që u mbajtën më 17 tetor. Hyseni kishte siguruar 19 mijë e 57 vota, ndërsa Haziri 18 mijë e 546.

(Kosova Sot Online)