Gjashtë raste të dhunës në familje brenda një dite

  • E.K /
  • 11 January 2022 - 10:41
Gjashtë raste të dhunës në familje brenda një dite

Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje.

Në Leposaviq është arrestuar një person për dhunë të vazhdueshme fizike e psikike ndaj anëtareve të familjes. Prokurori vendosi që i njëjti të dërgohet në mbajtje.

“Leposaviq 10.01.2022 ─ 10:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj anëtarëve të familjes së tij. I dyshuari me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Edhe në Gjakovë është arrestuar një person pasi e kanosi gruan e tij. Edhe ky me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Rr. Sali Morina, Gjakovë 10.01.2022 – 23:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që kishte kanosur bashkëshorten e tij, viktimën femër kosovare. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në tutje në njoftim.

Ndërkaq në Dragash është arrestuar një person pasi e pengoi në shtëpinë renë e tij. Kjo për shkak se e njëjta ishte në procedurë të divorcit.

“Dragash 10.01.2022 ─ 13:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar pasi i njëjti kishte penguar viktimën femër kosovare (rejën e tij) të hynte në shtëpi me pretekst se ajo është në procedura të divorcit në gjykatë. Viktima është dërguar në strehimore. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njoftoi Policia.

Ndërkaq në Gjilan, është arrestuar një person pasi sulmoi fizikisht nënën dhe vajzën. Edhe ky u dërgua në mbajtje.

“Gjilan 07.01.2022 – NN. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me familjarët e ti (bashkëshorten dhe vajzën) i kishte sulmuar fizikisht ata. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Në një rast tjetër në Gjilan është arrestuar një person dhe është dërguar në mbajtje pasi e sulmoi fizikisht të dashurën e tij.

“Gjilan 09.01.2022 ─ 16:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar pasi i njëjti pas një zënke verbale që kishte pasur me viktimën femër kosovare (të dashurën e ti), e kishte sulmuar fizikisht atë. Viktimës i është ofruar tretma mjekësor. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

E në Prishtinë u arrestua një grua për sulm fizik ndaj bashkëshortit të saj.

“Prishtinë 09.01.2022 – 12:00. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare pasi që pas një mosmarrëveshje e kishte sulmuar fizikisht bashkëshortin e saj, viktimën mashkull  kosovar dhe i kishte shkaktuar lëndime trupore. Viktimës iu është ofruar trajtim mjekësor. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit e dyshuara pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)