Gjysma e kabinetit qeveritar të Maqedonisë së Veriut me shqiptarë

  • E.K /
  • 17 January 2022 - 15:36
Gjysma e kabinetit qeveritar të Maqedonisë së Veriut me shqiptarë

Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka nisur sot detyrën e re.

Ai ka marrë të hënën detyrën nga ish-kryeministri Zoran Zaev në një ceremoni, më pas ka bërë disa takime me zyrtarë të huajë dhe është pritur nga presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.

Në takim me presidentin e vendit, Kovaçevski kishte gjithë kabinetin që u votua mbrëmë në Kuvend dhe ai përbëhet nga 10 shqiptarë apo fiks gjysma e anëtarëve nëse nuk llogaritet shefi i Qeverisë.

Për herë të parë në historinë e Maqedonisë, resorët qeveritarë janë ndarë thuajse 50:50, pa llogaritur këtu postin e kryeministrit.

Në qeverinë e re të Maqedonisë janë gjashtë shqiptarë nga BDI-ja, tre nga Alternativa dhe një nga LSDM-ja, prej nga vjen edhe kryeministri.

Shqiptarët në qeverinë e re kanë një post të zv.kryeministrit dhe nëntë të ministrave.

Në qeverinë e kaluar, në krye me Zaevin, ishin tetë shqiptarë në Qeveri.

Po ashtu, kryetar i Kuvendit tash e dy mandate është një politikan shqiptar, Talat Xhaferi.

Përbërja e re e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut:

Kryeministër – Dimitar Kovaçevski

Zëvendëskryeministre për Luftë kundër Korrupsionit – Sllavica Gërkovska

Zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike – Fatmir Bytyqi

Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane – Bojan Mariçiq

Ministër i Punëve të Brendshme – Oliver Spasovski

Ministër i Punëve të Jashtme – Bujar Osmani

Ministre e Mbrojtjes – Sllavjanka Petrovska

Ministër i Financave – Fatmir Besimi

Ministër i Drejtësisë – Nikolla Tupançevski

Ministër i Sistemit Politik – Artan Grubi

Ministre e Kulturës – Bisera Kostadinovska Stojçevska

Ministër i Shëndetësisë – Bekim Sali

Ministër i Bujqësisë – Lupço Nikollovski

Ministre e Punës dhe Politikës Sociale – Jovana Trençevska

Ministër i Transportit dhe Lidhjeve – Bllagoj Boçvarski

Ministër i Ekonomisë – Kreshnik Bekteshi

Ministër i Arsimit dhe Shkencës – Jeton Shaqiri

Ministër i Ekologjisë – Naser Nuredini

Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës – Admirim Haliti

Ministër i Vetëqeverisjes Lokale – Goran Milevski

Ministër pa resor, përgjegjës për Diasporën – Xhemail Çupi

(Kosova Sot Online)