Po nisej për punë, qëllohet për vdekje gazetari

  • E.K /
  • 18 January 2022 - 10:52
Po nisej për punë, qëllohet për vdekje gazetari

Një gazetar është qëlluar për vdekje të hënën në qytetin meksikan Tijuana, në kufi me Shtetet e Bashkuara. Sipas mediave të huaja, Margarito Martinez, 49 vjeç u sulmua me armë zjarri shumë pranë shtëpisë së tij. Ai ishte duke shkuar për punë ku u qëllua nga persona të armatosur.

Martinez, i cili punonte për media, përfshirë të përjavshmen Zeta të Tijuana, kishte marrë kërcënime sistematike, sipas një grupi të të drejtave të medias.

Autoritetet po hetonin gjithashtu vrasjen e një tjetër gazetari dhe aktivisti të mediave sociale, Jose Luis Gamboa, i cili vdiq në spital disa ditë pasi u godit me thikë në shtetin lindor të Veracruz më 6 janar.

Ishte e paqartë nëse vrasja kishte lidhje me punën e tij.

Organizata mbikqyrëse e të drejtave të medias Reporterët pa Kufij (RSF) e rendit rregullisht Meksikën së bashku me vendet e shkatërruara nga lufta si Afganistani dhe Jemeni, si vendet më të rrezikshme në botë për mediat e lajmeve.

Të paktën shtatë gazetarë u vranë në Meksikë në vitin 2021, sipas një numërimi të AFP, megjithëse nuk është përcaktuar nëse të gjitha vrasjet ishin të lidhura me punën e tyre.

Më shumë se 100 reporterë janë vrarë që nga viti 2000 në Meksikë dhe vetëm një pjesë e krimeve kanë rezultuar në dënime.

(Kosova Sot Online)